Lajme
“Po bëni pyetje sygjestive…është e pasaktë” – Si u përplas avokati Emmerson me gjyqtarin e Speciales në seancë?
Demokracia
10:39 | 05 Dhjetor 2023

Share:

Disa pyetje që njëri nga gjyqtarët ia ka bërë dëshmitarit Sadik Halitjaha gjatë ditës së djeshme, ka shkaktuar përplasje të ashpër në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Pothuajse për dy ditë me radhë kanë qenë gjyqtarët ata që e kanë marrë në pyetje ish-eprorin e UÇK-së në zonën e Pashtrikut, Sadik Halitjaha.

Megjithatë, kur gjyqtari zviceran Metro po e pyeste Halitjahën për një rregullore të UÇK-së, aty ndërhyri avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Emmerson e akuzoi gjyqtarin se po bën pyetje sygjestive, raporton Nacionale.

“Ai ka përdorur fjalën rregullore, ka thënë që nuk janë përdorur asnjëherë. Do të ishte e dobishme për dëshmitarin që pyetjet të mos ia bëni sygjestive dhe ti kërkoni atij që të komentojë”, tha Emmerson.

Këtu reagoi gjyqtari Metro.

“Mbani komentet për më vonë”, ia ktheu gjyqtari zviceran.

Avokati Emmerson përsëriti kundërshtimin e tij.

“Unë po ngre kundërshtim dhe kam të drejtë”, tha avokati i Veselit.

“Po nuk thatë kundërshtim?”, ia ktheu sërish gjyqtari.

Emmerson insistoi se pyetja e gjyqtarit ishte përfaqësim i pasaktë.

“Është sygjestive dhe është përfaqësim i pasaktë i dëshmisë së tij”, deklaroi avokati britanik.

Këtu ndërhyri kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Ai ia rrëzoi kundërshtimin Emmersonit.

“Do të keni mundësinë tuaj për të bërë pyetje. Kundërshtimi juaj rrëzohet”, tha Charles Smith.

Kjo nuk është hera e parë që Ben Emmerson kapet me gjyqtarët në seancë. Kohë më parë ai kërkoi sqarime se deri në cilën masë mund të kundërshtojnë pyetjet e gjyqtarëve, duke vlerësuar se disa nga pyetjet janë sygjetstive.

Të ngjashme