Lajme
PISA e lë pa fjalë “ekspertin” për gjithçka, Kurti pretendonte se me VV-në në qeverisje ky test kalohej me sukses
Demokracia
22:13 | 05 Dhjetor 2023

Share:

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022, shumë më heq se në vitet kur Lëvizja Vetëvendosje kritikonte për rezultate të dobëta.

Ky rezultat duket se e ka lënë pafjalë edhe kryeministrin Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Si pushtetar, Kurti ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë rezultat zhgënjyes. Por, sa ishte në opizitë, Kurti thoshte se me Vetëvendosjen në qeverisje, testin PISA do ta kalojmë me sukses.

Këtë deklaratë, Kurti e kishte bërë gjatë një vizite në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Qamil Batalli”, në Prishtinë.

“Ne si qeveri e Vetëvendosjes, nesër do të jemi gjithmonë pranë jush dhe për çdo gjë që keni nevojë, për secilën ide tuajën, jemi të gatshëm e të interesuar të diskutojmë në mënyrë që këto rezultate kaq të mira të bëhen edhe më të mira dhe të vazhdojnë edhe më tej në kohë. Sfidat e Kosovës në edukim dhe arsimim janë tepër të mëdha, por një ndër konkluzionet e testit të PISA-s është se aty ku ka disiplinë dhe rregull më shumë, aty ka edhe arritshmëri më të lartë. Për neve është qenësore që kuadrot më të mira që dalin nga universitetet tona të mbahen në sistemin arsimor, kuadrot më të mira duhet të kenë motivim nga shteti që të mbeten përbrenda procesit mësimor. Është për neve e rëndësishme që testin e ardhshëm të PISA-s ta kalojmë me sukses, sepse kemi mësuar e jo se jemi përgatitur enkas për testin e PISA-s”, thoshte ai.

Ndryshe, Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën.

Në matematikë, Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018. /Demokracia.com/

Të ngjashme