Lajme
“Përralla” me Kryeprokurorin e Shtetit | Gjykata Kushtetuese pa vendim për ankesën e Shqipdon Fazliut
Demokracia
16:28 | 11 Korrik 2023

Share:

Betejës për Kryeprokuror të Shtetit assesi t’i shihet fundi as pas mbi një viti prej kur është propozuar kandidati për këtë pozitë, Blerim Isufaj. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ende nuk ka një vendim lidhur me ankesën e ish-kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliu.

Ankesa e Fazliut fillimisht ishte hedhur poshtë vitin e kaluar. Por, Fazliu i është rikthyer edhe një herë Kushtetueses, duke e kontestuar sërish procesin. Shqipdon Fazliu, ish-kandidat për kryeprokuror ka tre muaj që ka ushtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese megjithatë rasti i tij ende është duke u shqyrtuar. Kështu kanë thënë në një përgjigje për Demokracia.com nga Gjykata Kushtetuese.

Lidhur me vonesat e këtij procesin nga kjo gjykatë kanë thënë për Demokracia.com se Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Blerim Isufaj i nominuar nga KPK-ja as nuk u dekretua, por as nuk u refuzua nga Presidentja, ndonëse kryeministri e ka cilësuar atë padëshirueshëm nga liderët shtetërorë.

Diçka të tillë e ka bërë të ditur haptazi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në Kuvendin e Kosovës tha se Isufaj nuk e ka bekimin e tij, as të presidentes e as të kryetarit të Kuvendit.

Në atë fjalim, kryeministri Kurti thotë fjalë të rënda fyese ndaj Prokurorit Isufaj, duke e akuzuar mes tjerash edhe për keqkategorizimin e vetëvrasjes së Dino Asanajt dhe të vrasjes së Hamdi Sopës.

“Nagip Krasniqi është në burg. Dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe ai me siguri e sheh në TV këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në Kuvend për njerëzit që janë në burg. Le t’i jepet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale profesionale, mirëpo emri kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja. Nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen e bëri vetëvrasje, e vetëvrasjen vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të Presidentes, krye parlamentarit, kryeministrit duan me patjetër të bëhen kryeprokuror, por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo sepse jam unë, jo sepse jeni ju. Në këtë shtet ka Republikë edhe popull”, kishte deklaruar Kurti para deputetëve të Kuvendit.

Reagime të orkestruara të këtij lloji ka pasur edhe nga ana e deputetëve të VV-së, menjëherë pas arrestimit të Krasniqit.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandër Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit. /Demokracia.com/ 

 

Të ngjashme