Diaspora
Përplasje mes anëtarëve të KQZ-së për votat e diasporës
Demokracia
14:46 | 04 Shkurt 2021
Foto Ilustrim

Share:

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), u diskutua për votat e diasporës të cilat vijnë me postë.

Edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka pasur “përplasje” për votat e diasporës të cilat vijnë përmes postës.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes në KQZ, Alim Rama, ka thënë se KQZ-ja, po mundohet të vë edhe një pengesë për votuesit jashtë Kosovës, raporton Demokracia.com.

Sipas tij duhet të sillet një kuti në KQZ e cila duhet të ruhet nga vëzhguesit dhe policia, në të cilën kuti sipas Ramës të futen votat e diasporës të cilat vijnë me postë.

“Si ka qenë deri më tash, kutia duhet të jetë këtu dhe policia të jetë aty nën mbikëqyrjen e krejt vëzhguesve. Ju mund të bëni dhe një pengesë shtesë siç keni bërë më herët”, ka thënë Rama.

Ndërsa kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, përfaqësuesi i LDK-së, Sami Hamiti dhe përfaqësuesi i PDK-së, Arianit Elshani, kanë thënë se votat duhet të mbërrijnë në Fahun Postal, Posta numër 6, pasi që sipas tyre ashtu e parasheh edhe ligji, raporton më tutje Demokracia.com.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se në këtë institucion asnjëherë nuk janë pranuar vota nga diaspora, por sipas saj këto vota kanë shkuar në qendrat e votimit.

“Nuk ka pas pranim të zarfeve në komision. Një gjë e tillë asnjëherë s’ka ndodh në këtë objekt. Asnjëherë votat e diasporës nuk kanë ardhur këtu, mirëpo në qendra e votimit”, ka thënë Daka./Demokracia.com/

Të ngjashme