Lajme
Përparim Rama zbulon prapaskenat e marrëveshjes me “Sunny Hill”| Fajin e ka kryekëput Qeveria Kurti
Demokracia
11:46 | 16 Qershor 2022

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka dhënë detaje lidhur me anulimin e festivalit “Sunny Hill”, event ky që është zhvendosur në Tiranë.

Rama para mediave ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka zvarritur procesin dhe vazhdimisht ka tentuar ndërhyjë në kompetencat e Komunës së Prishtinës lidhur me këtë çështje, raporton Demokracia.com.

“Këtë vit “Sunny Hill Festival” nuk do të mbahet në Prishtinë. Ky është një lajm dëshpërues për kryeqytetin dhe Kosovën. Po iu drejtohet me këtë konferencë për media për të qenë transparent në raport me qytetarët, për procesin që kemi kaluar gjatë këtyre muajve, në përpjekjet maksimale për t’ia mundësuar festivalit që ta ketë shtëpinë e vet të përhershme në Prishtinë, këtu edhe ku e ka vendin. “Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, i takon të rinjve e të rejave që me padurim e kanë pritur. Arsyeja se pse ky festival sot është i zhvendosur në Tiranë, është kryekëput për shkak të zvarritjeve të Qeverisë, e cila pavarësisht procesit që u bë në pajtim me ligjin, Qeveria ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në kompetencat e Kuvendit Komunal dhe kryetarit të komunës, ashtu siç e konfirmoi edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës”, ka thënë ai, përcjell Demokracia.com.

Rama ka shtuar se Qeveria ka qenë në dijeni për pikat e kontratës dhe se e njëjta siguronte marrëveshjen më të mirë të mundshme, raporton Demokracia.com.

“Ftoj Qeverinë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të komunës. Qeveria ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës, që ishte e gatshme për nënshkrim dhe që siguronte marrëveshjen më të mirë në mbrojtje të interesit publik dhe rritjen e vlerës kulturore e shoqërore. Ashtu siç ishte paraparë në kontratë, se nëse tri vjet nuk mbahet festivali Sunny Hill për ndonjë arsye, atëherë prona i kthehet komunës. Hapësira edhe në shfrytëzim gjatë gjithë vitit do të jetë park publik, i hapur për qytetarët e Kosovës. Ndërsa, komuna do të ketë 60 ditë në dispozicion për organizimin e festivaleve të tjera”, ka thënë ai.

Në fund, Rama shtoi se beson që nga viti i ardhshëm, festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë.

“Sunny Hill” në Kosovë u anulua për shkak se autoritetet kanë dështuar që t’i sigurojnë licencat për mbajtjen e festivalit.

Kështu, organizatori Dukagjin Lipa ka konfirmuar se festivali do të mbahet në Tiranë, duke ua nisur edhe një letër krerëve të shtetit, të cilët i ka konsideruar fajtorë për këtë dështim.

Pas zhvendosjes në Tiranë, “Sunny Hill Festival” do të mbahet në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht.

Po ashtu, të gjithë personat që kanë blerë bileta do t’i kenë ato të vlefshme, kurse ata që nuk mund të udhëtojnë për në Tiranë, do të mund që t’i rimburësojnë ato./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024