Është publikuar dokumenti, i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari, të cilin Hamasi e pranoi për një armëpushim me Izraelin, por shteti hebre e refuzoi si i papajtueshëm me atë çfarë ishte rënë më parë dakord.
Ishte fillimisht pala e Hamasit, ajo e cila bëri me dije se kishte rënë dakord për armëpuhsim.
Menjëherë më pas, Izraeli e quajti të gjithën një “marifet” për të ndaluar operacionin në Rafah, i cili nisi menjëherë pas refuzimit izraelit për të shkuar në armëpushim.
Por, çfarë thotë dokumenti, i cili është i ndarë në tre faza dhe në sa kohë shtrihej propozimi?
Shtetet e Bashkuara, të cilat së bashku me Katarin dhe Egjiptin kanë luajtur një rol ndërmjetësues në bisedime, thanë se po studionin përgjigjen e Hamasit dhe do ta diskutonin atë me aleatët e Lindjes së Mesme.
Bazuar në detajet e shpallura deri më tani nga zyrtarët e Hamasit dhe një zyrtar i informuar mbi bisedimet, marrëveshja që grupi palestinez tha se kishte rënë dakord të përfshinte sa vijon:
FAZA E PARË
– Periudha 42-ditore e armëpushimit
– Hamasi liron 33 pengje izraelite në këmbim të Izraelit që liron palestinezët nga burgjet izraelite.
– Izraeli tërheq pjesërisht trupat nga Gaza dhe lejon lëvizjen e lirë të palestinezëve nga jugu në veri të Gazës.
FAZA E DYTË
– Një periudhë tjetër 42-ditore që përmban një marrëveshje për të rivendosur një “qetësi të qëndrueshme” në Gaza, gjuhë që një zyrtar i informuar për bisedimet tha se Hamasi dhe Izraeli kishin rënë dakord për të hequr diskutimin e një “armëpushimi të përhershëm” nga tavolina.
– Tërheqja e plotë e shumicës së trupave izraelite nga Gaza.
– Hamasi liron rezervistët izraelitë dhe disa ushtarë në këmbim të Izraelit që liron palestinezët nga burgu.
FAZA E TRETË
– Përfundimi i shkëmbimit të organeve dhe fillimi i zbatimit të rindërtimit sipas planit të mbikëqyrur nga Katari, Egjipti dhe Kombet e Bashkuara.
– Përfundimi i bllokadës së plotë në Rripin e Gazës.