Lajme
Përparim Rama i çon në “mbajtje” qentë endacakë në Hajvali, jep tender 240 mijë euro
Demokracia
16:43 | 31 Gusht 2022

Share:

Komuna e Prishtinës është bërë gati për fillimin e ndërtimit të strehimores për qentë endacakë. Është dhënë edhe një tender në vlerë prej 240 mijë eurove. Kjo qendër parashihet të ndërtohet në Hajvali.

Problemit të kamotshëm të qenve endacakë në kryeqytet duket se shpejt do t’i vijë fundi.

Komuna e Prishtinës tashmë ka dhënë edhe tenderin për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, shkruan Demokracia.com.

Ky institucion që drejtohet nga Përparim Rama ka vendosur që qentë endacakë të dërgohen në Hajvali, ku është paraparë të ndërtohet strehimorja për të cilën janë ndarë 240 mijë euro.

Ndërtimin e kësaj qendre do të bëjë kompania “Eurometal SH.P.K.”, që edhe është shpallur fituese në mesin e dy konkurrentëve.

“Lokacioni: Hajvali. Vlera e përgjithshme e kontratës 239,425.15. Ndërtimi i strehimores për qentë endacak. Data e dhënies së kontratës 22.08.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 29.08.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 2”, thuhet në njoftimin e shpallur nga komuna, përcjell Demokracia.com.

Ditë më parë, Alban Zogaj, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, i ka pyetur qytetarët sesi e shohin zgjidhjen e problemit të qenve endacakë.

Pyetje e tij erdhi pasi u publikua një video, ku shihej një lagje e pushtuar nga qentë endacakë.

“Si e mendoni zgjidhjen e problemit të qeneve endacak?“, ka pyetur ai në Twitter.

Qentë endacakë janë një nga problemet e kryeqytetit. Shpesh janë raportuar edhe sulme ndaj qytetarëve, të cilat kanë përfunduar me lëndime.

Zgjidhja e këtij problemi ishte premtim i secilit kandidat për Kryetar të Prishtinës, përfshirë edhe i Përparim Ramës që tash është në pushtet.

Komuna e Prishtinës gjatë muajit maj të këtij viti ka ndarë 350 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë.

Sipas njoftimit të komunës, trajtimi i qenve endacakë do të ndahet në shtatë grupe, ku do të përfshihen të gjitha lagjet e kryeqytetit dhe zonat rurale.

LEXO EDHE:

Rreziku nga qentë endacakë, Komuna e Prishtinës jep tender 350 mijë euro – Demokracia

“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të ri-ekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës gjatë muajit qershor kishte deklaruar se do të miratojë Strategjinë Kombëtare për trajtimin e qenve endacakë.

“Ky është një nga shqetësimet kryesore ditëve të fundit. Ne si ministri kemi nxjerrë një vendim më 16 shkurt që të formohet një grup punues për hartimin e një strategjie kombëtare. Në fund të qershorit do ta kemi të miratuar në Qeverinë e Kosovës strategjinë kombëtare për qentë endacakë”, pati deklaruar  Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Hartimi i strategjisë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë ishte premtim edhe i kryeministrit Albin Kurti.

Ai kishte thënë se Qeveria do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos i ketë më qentë endacakë nëpër rrugë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sapo kishte nisur punën si i pari i kryeqytetit, duke u deklaruar rreth kësaj çështjeje kur një qen endacak kishte sulmuar tre mjekë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kishte thënë se thënë se e kishin zënë qenin që nuk kishte qenë i trajtuar dhe e kishin dërguar në mbajtje.

Rama kishte ripërsëritur deklaratën e tij se “ky problem nuk mund të zgjidhej vetëm nga një komunë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme