Kultura e Drag Queen performancave në vendin tonë është një ngjarje e re, filimet e së cilës datojnë vetëm në vitet e kaluara.
Por cka është një Drag performancë, cili është koncepti pas saj dhe pse këto përformanca nuk janë të rezervuara vetëm për komunitetin ‘queer’?
Jemi në muajin e Krenarisë dhe na ndajnë vetëm pak ditë para Paradës. Për një muaj me radhë aktivitete të shumta, ngjarje kulturore e informuese ishin pjesë e eventeve të kryeqytetit, shkruan Demokracia.com
Një nga këto ngjarje ishte edhe Drag Queen Performanca nga Ballkan Ballroom.
Me veshje shumë ngjyrëshe, make up ekstravagant e të shoqëruara nga këngë si Lady Marmalade, S&M nga Rihanna, Dua Lipa e Adelina Ismaili, Drag Queen’s performuan duke mishëruar fuqinë e feminitetiteti dhe duke festuar të qenit ndryshe.
Një Drag Queen Show është performancë argëtuese që zakonisht bëhet nga burra të veshur si femra, por nuk është e kufizuar vetëm për burrat, të cilët imitojnë dhe shpesh edhe ekzagjerojnë karakteristikat femrore.
Në rastet tipike kjo performancë përfshin interpretues të cilët performojnë këngë ‘playback’, por ka edhe të shumtë që performancat i bëjnë ‘live’.
Egzistenca e Drag daton shumë kohë më përpara se sa performancat drag, në kohën kur në vende si Anglia dhe Kina gratë nuk lejoheshin të luajnë si aktore në teatër, prandaj burrat visheshin si gra.
Qëllimi i këtyre performancave varion sipas personalitetit, duke nisur që nga argëtimi i thjeshtë, deri te të shprehurit e vetes dhe te liria për zgjedhur.
Sipas Lend Mustafës nga organizata CEL këto performanca tejkalojnë qëllimin e tyre primar duke u bërë njëkohësisht edhe protestë për lirinë personale: “Kultura drag dhe të gjitha eventet kulturore queer janë vepra revolucionare e protestuese në mënyrën më paqësore. Netët e tilla na bashkojnë e na fuqizojne të vazhdojmë luftën e të promovojmë bashkimin e aktivistëve dhe gjithë personave LGBTI”.
“Nata e kaluar tregon qe nëse punojmë bashkë dhe qëndrojmë krenarë, mundemi. Mesazhet e performuesve kanë qenë thirrje për të qëndruar bashkë e për të kontribuar në lëvizje”.
“Përjetime të tilla na duhen më shpesh, dhe do të ketë shumë shpejt edhe të tjera. Emocionin dhe krenarinë qe e kemi përjetuar mbrëmë janë të papërshkrueshme dhe për t’u mbajtur në mend përgjithmonë. Falenderoj të gjithë performuesit dhe pjesëmarresit” ka përfunduar ai.
Në këtë shfaqje ishte e ftuar edhe artistja Cat Jugravu ose Cher Nobyl një artist Drag dhe performues teatri nga Berlini, për Demokracia.com tha se mbrëmja e kaluar i kishte lënë një përshtypje të thellë.
“Nëse kishte ndonjë dyshim se queer do të thotë dashuri, mbështetje dhe familje e zgjedhur, natën e kaluar dyshimi nuk ishte më. Energjia dhe fuqizimi kaluan nëpër çatinë e Teatrit ODA. Të isha në gjendje të vëzhgoja qëndrueshmërinë e një komuniteti i cili është vazhdimisht nën sulm dhe vëzhgim nga vëzhgimi i burrave patriarkal ka qenë vërtet një dhuratë për mua në ditët e fundit. Unë isha në gjendje të takoja dhe stërvistja interpretues shumë të talentuar të Drag gjatë seminarit Queering, me ftesë të CEL KOSOVO”.
“Një organizatë si CEL, jo vetëm që e kupton luftën për të qenë LGBTQI + në ditët e sotme të Kosovës, por siguron edhe komunitetin e saj, si qofshin hapësira më të sigurta, mbështetje dhe informacion. Të jesh pjesë e artistëve të ftuar këtë vit për ngjarjet e Krenarisë nuk ka qenë asgjë më pak se një përvojë shumë e vlefshme dhe e nderuar. Performanca më e mirë e Drag Queen’s në Kosovë thanë ata, ndërsa unë them e para nga shumë raste që do të vijnë, ku arti i mirë bashkon njerëz të mëdhenj”, ka përfunduar ajo.
Edhe Diva një drag performues thekson se nata e mbrëmshme ishte prej më të veqantave, për shkak se secili performues kishte sjellë individualitetin e tij të pakompromis.
Diva tregon se një prej arsyeve pse ajo performon është “për shkak se këto përformanca nuk të kufizojnë dhe nxisin secilin të shpreh artin e tij në mënyrën e përzgjehdhur poashtu, duke mos njohur kufizime si mosha, gjinia, raca etj dhe se në të njejtën kohë bashkon njerëz”.
Arsyeja pse këto performanca nuk duhet të jenë të rezervuara vetëm për komunitetin queer, është se të qenit ndryshe nuk ka të bëj vetëm me orientimin seksual.
Drag Performancat dhe ndejat pasuese janë një ftesë për të lëshuar veten në rrafshe që tejkalojnë seksualitetin, duke na bërë të përjetojmë dhe të bashkëndjejmë një lloj lirie absolute.
Pavarësisht se përkufizimet mund të variojnë sipas personalitetit, ajo që pohojnë adhuruesit e drag performacave është mundësia për të qenë i lirë, mundësia për të ndarë me të tjerët pjesë të vetes të cilat zakonisht na i sheh vetëm pasqyra.
Miss Fenix, Barbie Lo, Victoria Owns, Emma, Toxic Macho, Sulltanesha Turkan ishin performuesit e këtij eventi, që paraprakisht mbajtën ëorkshop me performuesen Catalani./Demokracia.com/