OpEd
“Përbuzja e dijes”
Demokracia
13:46 | 27 Korrik 2023

Share:

Nga Altin Ademi

Kosova vazhdon të mbetet një “adresë e paarritshme” për çdo njeri që kërkon vetë përmbushjen, duke përfituar nga kompetenca, dija dhe përkushtimi për t’i vënë ato në jetë, si dhe për të pasur dobi nga angazhimi intelektual.

Ka shumë arsye pse ndodhë një gjë e tillë por tradicionalisht, kapitali në Kosovë nuk llogaritet në parametra që përfshijnë dijen dhe kompetencën, si një prej shtyllave të tij. Këtë e dëfton tregu aktual i punës, ku një listë e gjerë e “zanateve intelektuale” zëvendësohet nga prodhimi masiv i “mjeteve” që kushtojnë më lirë e janë të disponueshme me shumicë.

Bie fjala, një sociolog, psikolog, filozof, letrar, aktor apo dramaturg, e shumë të tjerë të ngjashëm, pandehet se mund të zëvendësohen lehtësisht nga tregu, që përsiatje e shërbime të kësaj natyre t’i sjellë tek dera me postë të shpejtë. Për më tepër, shqetësimi nuk lidhet me gjendjen aktuale të tregut, por me trendin e tij si dukuri.

Nga këto pandehje që burojnë për çdo ditë pa asnjë kokëçarje, zanatet intelektuale kanë mbetur si “shije estetike”, prej të cilave nuk “fitohet” dhe përmes së cilave nuk mund të ndërtohet një karrierë e qëndrueshme dhe dobiprurëse.

Do të kishte qenë e mirëkuptuar një qasje e tillë, sikur e njëjta të ishte zgjidhje autonome nga praktikuesit e “dijes”. Fundja, çfarë ka më të rëndësishme për një filozof dhe sojin e tij, sesa të ketë arritur në shkallën e ushtrimit të “zanatit të tij intelektual” për shkak të natyrës së atij zanati si të tillë, pa qenë i shtrënguar ta bëjë këtë në rrethana të ekzistencës ekonomike?

Por në Kosovë, ky nuk është rasti. Në Kosovë, rasti është tek mbivendosja e “rreme” e aparencës së jashtme të “vlerave intelektuale”, duke i spostuar në periferi hamendësimet dhe përsiatjet origjinale, që do të duhej të ishin pjesë e mirëqenies dhe zhvillimit të kapitalit.

Në esencë, paraja nuk është kapital. Është mjet. Por dija, është kapital i pastër. Në Kosovë, ka një përmbysje radikale të këtij koncepti autentik. Kjo mënyrë pandehje e zëvendësimit të një rrafshi themelor mbi të cilin qëndron vetë rrëfimi i kapitalit, arsyet, qëllimet dhe modelet e tij, në qendër të së cilit qëndron pikërisht ndërrmarrësia si risi që vjen nga përsiatja autentike, të cilës i paraprinë ideja dhe dija si prototip e jo si model, para se të ketë çmim për ushtruesit e atyre zanateve, paraqet një simptomë socio kulturore që nuk është as e re dhe as e panatyrshme. Thënë më thjeshtë, paraqet simptomën e një kapitali që zhvillohet i zhveshur nga pretendimet legjitime që synohen të përmbushen përmes tij.

Ky devijim simptomatik, tregon se shoqëria jonë aktualisht është në kërkim të spektaklit dhe “akterëve” që iu dhurojnë spektakël. Këtë e gjen edhe në media, në studio televizive, sport, politikë e gjithandej. Në këtë rrafsh, është e vërtetë se zakonisht përmes ushtrimit të dijes, nuk mund të arrihet një spektakël i përmasave të zbavitjes së masave. Por është po ashtu e vërtetë se spektakli nuk ka në brendësi asnjë qëllim më të thellë e as më produktiv sesa zbavitjen.

Zhvlerësimi i dijes në këmbim të pasioneve të spektaklit, është mënyra më e sigurt për ta mbajtur peng potencialin që ekziston brenda një shoqërie, dhe mënyra më e shpejtë për ta ngulfatur vullnetin kolektiv për të besuar në një të ardhme më të mirë. Akterët përgjegjës, janë duke e bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim. Rezultati, s’do koment.

Të ngjashme