Lajme
Për punësimin e inxhiniereve për rehabilitimin e hekurudhave në Kosovë, vendosë kompania me seli në Beograd
Demokracia
15:02 | 19 Qershor 2023

Share:

Menaxhimi i mbikëqyrjes së ndërtimit të linjave hekurudhore në Kosovë, po bëhet nga zyrat në Beograd, shkruan Periskopi.

Projekti i Rehabilitimit Gjeneral dhe Modernizimit të Linjës së 10-të Hekurudhore në Kosovë do të realizohet në tri faza: Faza 1: Fushë Kosovë – Hani i Elezit – Kufiri me Maqedoninë e Veriut; Faza 2: Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe faza 3: Mitrovicë – Leshak – Kufiri me Serbinë.

Përzgjedhja e kompanisë mbikëqyrëse për fazën e dytë të Linjës së 10 Hekurudhore (Fushë Kosovë – Mitrovicë) është bërë nga Infrakos. Fitues kishte dalë kompania gjermane DB Engineering & Consulting. Kjo kompani ka shpallur konkurse për zëvendës inxhinier për Rehabilitimin dhe Përmirësimin e Seksionit Hekurudhor: Fushë Kosovë – Mitrovicë, 34.4 km nga Linja Hekurudhore 10 në Kosovë (kohëzgjatja e projektit 15 muaj).

Siç shihet në webfaqen e kësaj kompanie, dega e saj operuese ndodhet në Beograd, Serbi, ndërsa nuk ka ndonjë degë me lokacion në Kosovë.

Rrjedhimisht, i bie që zyra e kësaj kompanie nëkryeqytetin serb do të vendosë për punësimin e stafit.

Bazuar në konkursin e shpallur, kandidati duhet të ketë të paktën 20 vjet përvojë të përgjithshme profesionale dhe të paktën 15 vjet përvojë profesionale në lidhje me sektorin hekurudhor: konsulencë, operim, mirëmbajtje, mbikëqyrje, ndërtim, ose të ngjashme.

Së paku 10 vjet përvojë profesionale në ndërtim/rindërtim me fokus përvojë profesionale në mbikëqyrjen e ndërtimit të hekurudhave në të paktën 3 projekte hekurudhore (përvojë e aplikueshme vetëm me linjë të rregullt hekurudhore) në rajonet e Ballkanit p.sh. Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Mali të Zi, Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Bullgari, Rumani dhe Turqi.

Dihet se, projekti i Rehabilitimit Gjeneral dhe Modernizimit të Linjës së 10-të Hekurudhore është i paraparë dhe do të realizohet në tri faza:

Faza 1: Fushë Kosovë – Hani i Elezit – Kufiri me Maqedoninë e Veriut – 66.622 km;

Faza 2: Fushë Kosovë – Mitrovicë – 34.369 km. dhe

Faza 3: Mitrovicë – Leshak – Kufiri me Serbinë – 48.119 km.

Vlera e projektit është 1,000,000.00 euro, ndërsa vlerësimi i kompanive është bërë nga komisioni i themeluar nga Kryeshefi Ekzekutiv i cili pasi që e ka kryer vlerësimin e të gjitha ofertave është vendosur që si kompani fituese të shpallet kompania “OBERMEYER HELLAS Ltd”.

Në dhjetor të vitit 2022, kishte nisur punimet e fazës së dytë të rehabilitimit të linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10 hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se rehabilitimi i kësaj hekurudhe i paraprin zhvillimit ekonomik, si dhe i shërben ndërlidhjes më të mirë të Kosovës me rajonin dhe Evropën./Periskopi/

Të ngjashme
Lajme • 25 Maj 2024