Lajme
Qeveria e “sakaton” Postën e Kosovës, më as pensionet nuk shpërndahen përmes saj
Demokracia
13:08 | 20 Mars 2023

Share:

Pensionistët dhe përfituesit e skemës sociale, pagesat e tyre më nuk mund t’i marrin përmes Postës së Kosovës.

Këta përfitues do të obligohen që të hapin ndonjë xhirollogari në bankat komerciale të vendit.

Kjo barrë do të bie mbi qytetarët, pasi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka prishur marrëveshjen me Postën e Kosovës.

Demokracia.com i ka kërkuar përgjigje Postës së Kosovës që nga 23 shkurti 2023 lidhur me këtë, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

E kontaktuar nga Demokracia.com, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, nuk ka kthyer përgjigje dhe ka kërkuar të kontaktohen personat kompetentë, të cilët që rreth një muaj nuk kthejnë përgjigje.

“Më vjen keq nëse është vonuar aq shumë, iu kthejmë përgjigje. Janë kolegët që janë përgjegjës për këtë, iu kthejnë përgjigje. Nuk ka nevojë mua mem kontaktu. Hajde çdo të mirë. Faleminderit shumë.”, ka thënë Rraci.

Demokracia.com ka siguruar një njoftim nga Qendra për Punë Sociale, i cili i dërgohet një qytetari.

“Qendra për Punë Sociale i njoftojmë familjet përfituese të ndihmës sociale se nga muaji Prill 2023, do të ndryshojë metodologjia e pagesës dhe shpërndarja e ndihmës sociale, jo përmes zyrave të postës së Kosovës. Përfituesit e ndihmës sociale janë të obliguar që deri me datën 20 mars 2023, të sjellin konfirmimin apo hapjen e llogarisë bankare në ndonjërën prej bankave komerciale të Kosovës”, thuhet në këtë mesazh.

Mirëpo, ish-kryeshefi i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com ka treguar se ndërprerja e kësaj marrëveshjeje do të ishte një goditje substanciale në të hyrat vetanake të Postës së Kosovës.

“Ndërprerja e kësaj marrëveshje ndërmjet Postës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, përbën goditje substanciale në të hyrat vetanake të Postës së Kosovës, të cilat ishin siguruar me mund të madh të ish-menaxhmenteve dhe punës së stafit të Postës së Kosovës nga viti 2016 e këndej”, ka thënë Smakiqi.

Ai ka treguar se kjo ndërprerje e marrëveshjes për shpërndarjen e asistencës sociale do ta rrezikojë edhe ekzistencën ekonomike të këtyre përfituesve.

“Përveç dëmit të madh financiar, me këtë ndërprerje të kësaj marrëveshje për shpërndarjen e asistencës sociale dëmtohen edhe përfituesit e asistencës sociale. Posta ka pasur Zyra Postare në të gjithë territorin e Kosovës dhe se përfituesit, që janë qytetarët më të rrezikuar nga ekzistenca ekonomike, tashmë detyrohen të udhëtojnë te bankat për t’i tërhequr këto asistenca sociale”, është shprehur Smakiqi.

Ai ka bërë të ditur se stafi i Postës është përgatitur në disa module të SASP-së.

“Posta e Kosovës përveç tjerash për të siguruar ofruar këto shërbime kishte bërë përgatitje edhe teknike, edhe module të SASP-ja dhe trajnime të stafit”, ka theksuar ai.

Smakiqi ka akuzuar ekzekutivin për humbjen dhe dëmtimin e Postës së Kosovës, duke theksuar se besimi i qytetarëve do të bie ndaj kësaj ndërmarrje.

“Me këtë vendim, Qeveria e ka dëmtuar qindra mijëra euro në të hyrat vetanake Postën e Kosovës dhe kjo do të ndikojë në besimin e konsumatorëve të Postës që mos t’i besojnë Postës në shërbimet e saj, përfshirë këtu edhe dështimin e ARKEP që t’i sigurojë tregun e shërbimit postar në Veri, ku operon Posta Serbe”,  ka thënë ai./Demokracia.com/

Të ngjashme