Intervista
Peci: S’jemi më të përkëdhelurit e SHBA-së, Spanja problematike për planin franko-gjerman
Demokracia
10:32 | 18 Shkurt 2023

Share:

Nëse marrëveshja bazuar në planin franko-gjerman rezulton me njohjen e të gjitha vendeve të BE-së/NATO-s, stabilizohet Kosova dhe i hapet rruga për integrim në këto institucione. Rreziku më i madh në lidhje me këtë marrëveshje është i ndërlidhur me Spanjën. Integrimi në BE e NATO është shumë më i rëndësishëm se sa anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Më i lehtë është anëtarësimi në NATO. Kolizioni me bashkësinë ndërkombëtare ka filluar nga refuzimi fillestar i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe ka arritur eskalimin me Qeverinë Kurti. E kemi humbur “statusin” e të qenit “darling”(e përkëdhelura) e ShBA’së. Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, njëherit Drejtori i KIPRED, Lulzim Peci.

Kosova po shënon 15-vjetorin e pavarësisë. Një prej diplomatëve që i shërbeu vendit pas shpalljes së pavarësisë, Lulzim Peci, ka folur për Gazetën Express lidhur me zhvillimet në vend përgjatë këtyre viteve.

Peci shërbeu si Ambasador i Kosovës në Stockholm nga dhjetori 2009 deri në qershor të vitit 2013, si dhe është themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit KIPRED.

Refuzimi fillestar i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, përpjekja për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, si dhe hyrja në bisedime me Serbinë për ndryshimin e kufijve, ishin gabimet më të mëdha të Kosovës për këto 15 vjet, sipas Pecit.

Me këto “gabime”, ish-diplomati thotë se futëm në konfuzion dhe mëdyshje vendet më përkrahëse të vendit.

Duke folur për planin franko-gjerman, Peci thotë se nëse kjo marrëveshje do të rezultonte me njohjen e të gjitha vendeve të BE-së/NATO-s, ajo do ta stabilizonte Kosovën në aspektin e brendshëm, dhe do të hapte rrugën për integrim në NATO dhe BE. Mirëpo, frika e tij është se këto njohje s’do të vijnë bllok.

Problematike e sheh Spanjën.

“…e cila mund të mos e njoh Kosovën, derisa ta njeh edhe Serbia, gjegjësisht deri sa Komisioni Evropian të deklaroj se është arritur një marrëveshje ligjërisht e obligueshme në mes dy vendeve, të cilën marrëveshja e tanishme nuk e ofron”, thotë Peci për Express.

Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë. Pavarësisht se ka mbi 100 njohje dhe një mendim të GJND’së se pavarësia nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, vendi po përballet me telashe që sipas shumëkujt vijnë nga fakti se Kosova nuk është një shtet anëtar i OKB’së. Sa i vështirëson “jetën” Kosovës fakti që nuk është anëtar i familjes botërore të kombeve?

Peci: Kosovës nuk i vështirësohet jeta për shkak se nuk është anëtare e KB-së, por për shkak të kontestimit të pavarësisë së saj nga një numër i konsiderueshëm i shteteve, përkundër faktit që anëtarësimi në këtë organizatë nënkupton integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo mund të ilustrohet me rastin e Koresë së Jugut që nuk iu kontestua shtetësia që nga fitimi i saj në vitin 1952, përkundër faktit që ky vend u bë anëtar i KB-së në vitin 1992. Duke e pasur privilegjin e mbrojtjes nga SHBA-të, edhe pse Koreja e Jugut ka një fqinj të rrezikshëm çfarë është Koreja e Veriut, Seuli ka dekada që i përket klubit të vendeve më të zhvilluara në botë.

Një pyetje hipotetike, po të kishim një qeverisje efektive dhe me vizion të qartë nga shkurti i vitit 2008, a do të kishim telashe të kësaj natyre. A e ka penguar zhvillimin ekonomik, ngritjen e mirëqenies statusi i padefinuar ndërkombëtarisht?

Peci: Statusi i Kosovës është i definuar ndërkombëtarisht, mirëpo kanë mbetur problemet e integrimit të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare që janë të natyrës politike dhe jo asaj ekonomike, si dhe të prioriteteve të bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht perëndimit, pasi Kosova nuk është qendër e botës. Në këtë rast nuk duhet harruar që krizat që janë shpërfaqur në botë pas shpalljes së pavarësisë, çfarë ishte kriza financiare e vitit 2008, agresioni rus në Gjeorgji në po atë vit, pranvera arabe dhe lufta në Siri, dalja në skenë e ISIS, si dhe pushtimi i rus i Krimesë e kanë larguar në një masë të madhe përqendrimin e perëndimit nga Kosova. Si pasojë, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë kryesisht deri më tani ka mbetur në kryesisht në vëmendje të plotë vetëm të  Përfaqësuesve të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, me një përqendrim komplementar edhe të SHBA-ve. Kosova në ndërkohë ka bë gabime të mëdha, si refuzimi fillestar i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi që na humbi trenin për liberalizim të vizave, pastaj përpjekja për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, si dhe hyrja në bisedime me Serbinë për ndryshimin e kufijve, me të cilat i futëm në konfuzion dhe mëdyshje vendet më përkrahëse të vendit tonë. Kësaj situate i dha vulë edhe jostabiliteti i brendshëm politik i Kosovës përgjatë këtyre viteve, që ndikoi në humbjen e ritmit të zhvillimit ekonomik, ngecje fatale në reforma, dhe humbjes së busullës në politikën e jashtme. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që të përfundojmë në gjendjen e tanishme.

A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballet me probleme të kësaj natyre, dialogu me Serbinë, gjendja në Veri që përsëri lidhet me Serbinë, apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare, gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?

Peci: Para 15 vjetësh ka ekzistuar një entuziazëm që gjërat do të shkonin në drejtim të mbarë me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kosova fillimisht fitoi në GJND, por pastaj dialogu rifilloi në Bruksel, dhe për shkaqet e lartpërmendura rrjedhat morën drejtim tjetër. Megjithatë, këtu nuk duhet neglizhuar arritjet në normalizimin e funksionimit të institucioneve shtetërore në veri si rezultat i dialogut në Bruksel, të cilat de fakto u zhbënë vitin e kaluar me daljen e serbëve nga këto institucione. Me instruksione të Vuçiqit, serbët në veri e morën këtë vendim në momentin kur Kryeministri Kurti duke e luajtur rolin e sovranistit pa mbulesë, me një lehtësi të jashtëzakonshme e refuzoi këshillën e Sekretarit Blinken për shtyrjen e vendimit për targat ilegale në veri, me të cilin Kosova hyri në kolizion direkt me SHBA-të për renditjen e hapave drejtë arritjes së marrëveshjes me Serbinë, në kohën kur Ëashingtoni dhe aleatët e saj janë duke u përballur me luftën në Ukrainë.

Në ndërkohë, gjatë këtyre 15 viteve, skena politike e Kosovës e kurthoi veten me variacionet e saja në mes të nacionalizmit rudimentar dhe anarkizmit, të shoqëruar me mungesën e madhe të patriotizmit civil, gjë që rezultoi me thellimin e ndarjeve etnike, sidomos pas vitit 2015. Politika kosovare kështu i dha një dhuratë e madhe Serbisë në përpjekjet e saj për minimin e shtetësisë së Kosovës, si nga brenda përmes Listës Serbe që përfaqësonte shumë më tepër interesat e Beogradit se sa ato të serbëve lokal, dhe nga jashtë duke e intensifikuar koordinimin me Rusinë kundër Kosovës, i cili jo rastësisht koincidoi me aneksimin e Krimesë.

Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës për të arritur një marrëveshje Kosovë -Serbi mbi bazën e një plani franko gjerman që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në OKB? Ku do ta çojë kjo Kosovën nëse ka ujdi?

Peci: Se ku mund ta çojë Kosovën kjo ujdi do të varet shumë nga dispozitat përfundimtare të kësaj marrëveshjeje, si dhe nga zbatimit i saj. Nëse kjo marrëveshje do të rezulton me njohjen e të gjitha vendeve të BE-së/NATO-s, ajo do ta stabilizonte Kosovën në aspektin e brendshëm, dhe do të hapte rrugën për integrim në NATO dhe BE. Mirëpo, kam frikë se këto njohje nuk do të vijnë në bllok.

Fillimisht ka gjasë që dy tri shtete ta njohin vendin tonë brenda një kohe të shkurtër, ndërsa të tjerat mund ta na njohin pasi që Bashkimi Evropian të deklaron se marrëveshja është e zbatuar plotësisht. Në këtë hapësirë kohore më së shumti që do të mund të përfitonte Kosova do të ishte anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimi eventual në Interpol dhe UNESCO.

Sa jam duke kuptuar, rreziku më i madh në lidhje me këtë marrëveshje është i ndërlidhur me Spanjën, e cila mund të mos e njoh Kosovën, derisa ta njeh edhe Serbia, gjegjësisht deri sa Komisioni Evropian të deklarojë se është arritur një marrëveshje ligjërisht e obligueshme në mes dy vendeve, të cilën marrëveshja e tanishme nuk e ofron. Kjo mund të komplikojë shumë pozitën e Kosovës, pasi atëherë ka gjasë që do të duhet të bisedojmë me Serbinë edhe një herë për njohje, dhe kjo rrjedhimisht do të nënkupton një kompromis të ri. Pra, Spanja deri më tani nuk është duke e konsideruar të mjaftueshëm modelin e dy Gjermanive, që e mbërthen në vete kjo marrëveshje, si të mjaftueshëm për njohjen e vendit tonë.

Në anën tjetër, nëse na njohin në ndërkohë të gjitha vendet e BE-së/NATO-s, atëherë njohja nga Serbia do të shndërrohet në problem për Serbinë dhe jo për Kosovën, dhe bisedat për normalizim përfundimtarë do të ndërlidhen vetëm me marrëdhëniet bilaterale.

Mirëpo, në anën tjetër, kjo marrëveshje mund ta ndihmojë Kosovën në përmbylljen e kritereve për trajtim të drejtë të pakicave, dhe respektimin e mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe zgjidhjen e problemeve kyçe me fqinjët (Serbinë), të cilat janë fondamentale për anëtarësim në NATO dhe BE.

A keni një ide si mund ta evitojë Kosova veton e Rusisë dhe Kinës në OKB për të siguruar ulësen në OKB?

Peci: Kosova nuk mundet në asnjë formë në situatën e tanishme ndërkombëtare ta evitojë veton ruse dhe kineze. Aplikimi i Kosovës në KB mund të bëhet vetëm atëherë kur të arrihet konsensusi në mes anëtarëve permanent të Këshillit të Sigurimit, dhe kjo do të varet nga dinamikat gjeopolitike globale, dhe sidomos nga epilogu i luftës në Ukrainë. Mirëpo fatmirësisht, Kosovës nuk i nevojitet anëtarësimi në KB për të u bë anëtar i NATO-s dhe BE-së. Integrimit në këto dy institucione është shumë më i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës se sa anëtarësia në KB.

Gazeta Express: Pasi që argumenti kryesor për marrëveshje Kosovë -Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE’së a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e BE’së pavarësisht 5 vendeve? Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO.

Peci: Kosova e ka më lehtë që të integrohet në NATO se sa në BE, pasi kriteret për anëtarësim janë më të lehta për të parën. Mirëpo, pa njohjen e të gjitha vendeve të BE-së dhe NATO-s asnjë lëvizje nuk mund të bëhet drejtë anëtarësimit në cilindo prej tyre nga ana e vendit tonë, pasi sikurse në NATO ashtu edhe në BE, vendimet merren me konsensus të plotë të të gjitha vendeve anëtare.

Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti megjithë rezervat po bashkëpunon me Perëndimin?

Peci: Kolizioni me bashkësinë ndërkombëtare ka filluar që nga koha e refuzimit fillestarë të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa ai ka arritur eskalimin me Qeverinë Kurti. Megjithatë, edhe në këtë situatë ka bashkëpunim me perëndimin, mirëpo ai është shumë i zbehtë. Ne duhet të kuptojmë se e kemi humbur edhe “statusin” e të qenit “darling” i SHBA-ve, që është edhe përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës, pa përkrahjen e të cilit, as nuk do të mund të bëheshim shtet, dhe as që do të mund ta bëjmë edhe hapin më të vogël drejtë konsolidimin e shtetësisë tonë si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Nëse nuk siguron njohje a mund të presim së paku në raportet Kosovë -Serbi me planin franko gjerman do të ndërpritet marrëdhënia toksike dhe destruktive mes dy vendeve?

Peci: Në këtë rast nuk mendoj se do të ndërpriten marrëdhëniet toksike, por ato do të transformohen në një detant jostabil, i cili në rast të mos-njohjes së Kosovës nga të gjitha vendet e BE-se/NATO-s, le hapësirë për riciklim të krizave në mes dy vendeve deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke.

A guxoni të bëni një parashikim për atë se ku do të jetë Kosova pas 15 vjetësh?

Peci: Jo, sepse nuk kam menduar thellësisht për skenarët e mundshëm rreth zhvillimeve globale,  evropiane, dhe të brendshme që mund të ndodhin brenda këtyre viteve. Mirëpo, duke u nisur nga  parametrat e tanishëm, shpresoj se Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, në marrëdhënie të mira me gjithë fqinjët e saj, duke përfshirë këtu edhe pajtimin dhe adresimin e plotë të krimeve të luftës. Drejtësia për viktimat e krimeve të luftës është parakusht për paqe stabile, pajtim dhe fqinjësi të mirë në mes vendeve. Nëse kjo ndodhë, atëherë Kosova dhe Serbia, nga armiq mund të shndërrohen në fqinjë të mirë, dhe pastaj edhe në aleatë, edhe pse kjo tani mund të duket e pamundshme. Ky është fati i të gjitha vendeve e shoqërive që kanë për ambicie të bëhen anëtare si të BE-së, ashtu edhe të NATO-s. Vendet e BE-së dhe NATO-s nuk janë vetëm anëtarë të tyre, por edhe aleatë me njëri tjetrin.

Të ngjashme