Lajme
PDK kërkon dorëheqje nga kryetari i Lipjanit pas arrestimit të nëntë zyrtarëve të tij për korrupsion
Demokracia
13:05 | 24 Janar 2023

Share:

Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Lipjan, pas arrestimit të nëntë zyrtarëve të Komunës së Lipjanit që po hetohen për dëmtim të buxhetit komunal përmes pranimit të punimeve në stadiumin e Magures, kërkon të zbardhen të gjitha rastet e korrupsionit në këtë komunë.

Dega e PDK-së në Lipjan kërkon që kryetari i Komunës, Imri Ahmeti të japë përgjigje përpara drejtësisë dhe të japë dorëheqje për t’u lënë rrugë hetimeve.

“Prej kohësh, ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që hetuesit e Krimeve Ekonomike të zbarkojnë në Komunën e Lipjanit, duke nisur nga fakti se gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm alarmonin për shumë parregullësi në këtë komunë, si: pagesa nga kategoria ekonomike joadekuate, zhvillim të procedurave të prokurimit jashtë planifikimit, dobësi gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, mungesë dëshmishë për arsyetimin e shpenzimeve nga përfituesit e subvencioneve, mungesë të planit për subvencione, sigurim jo valid i ekzekutimit, vonesa në realizimin e punimeve, shpenzim i ulët i buxhetit të kapitaleve”, thuhet në komunikatën e PDK-së, dega Lipjan.

“Po ashtu, prej kohësh ne kemi bërë të ditura dyshimet për rastet e korrupsionit me ndarjen e subvencioneve, dhënien e tenderëve për ndriçim publik, asfaltim dhe ndërtim të parqeve, dhënien e lejeve për mbindërtime nga militantët partiakë, dhe konkurset e kurdisura në arsim e shëndetësi”, vijon komunikata.

PDK përmend edhe se njëri nga të arrestuarit e tyre është menaxher i një kontrate të nënshkruar me Ahmetin, i cili ka ndikuar për avancim të të birit të tij në kryesi të Bordit të KRU “Prishtina”.

“Ne nuk do të ndalemi së denoncuari cdo shkelje të bërë nga ekzekutivi i Komunës së Lipjanit, sa herë që kemi fakte dhe dëshmi. Dhe do t’ua rikujtojmë ato në vazhdimësi qytetarëve dhe organeve të rendit, derisa drejtësia të vihet në vend”, përfundon komunikata. /Demokracia.com/

Të ngjashme