Lajme
PDK e LDK komentojnë ndarjen e 5 milionë eurove nga qeveria për lëndë djegëse për familjet me asistencë sociale
Demokracia
20:33 | 06 Dhjetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë bërë të ditur se kanë ndarë 5 milionë euro blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale. Mirëpo, ky veprim po shihet si i vonuar nga opozita, të cilët qeverinë po e cilësojnë si qeveri e subvencioneve dhe humanitare.

Kryeministri Kurti gjatë prezantimi të kësaj mase ndihmuese, ka thënë se Qeveria e tij “mbështet dhe nuk lë askënd prapa”.

Sot jemi bashkë për ta prezantuar edhe një masë e cila në qendër ka grupe të cenueshme të shoqërisë ata që kanë nevojë më së shumti për dorën e shtetit. 5 milionë euro kemi nda, ku qeveria do të mundësoj masën për blerjen e lëndëve djegëse për familjet me asistencë sociale. Jemi dhe do të mbetemi qeveri që udhëheq e mbështet dhe nuk lë askënd mbrapa.” – ka thënë ai sipas EO.

Ndërkaq, në njoftimin për medie të Ministrisë së Financave, bëhet e ditur se nga subevcionimi do të përfitojnë 21 mijë familje me rreth 81 mijë anëtarë.

Njoftojmë familjet përfituese të asistencës sociale se MFPT do të subvencionojë lëndën djegëse për ngrohje me vlerë 120 euro për familje. Përpos kësaj vlere, për çdo anëtar të familjes MFPT do të subvencionojë edhe 30 euro shtesë. Për ilustrim, një familje katër anëtarëshe përveç asistencës sociale, subvencionohet direkt në llogarinë bankare të kryefamiljarit me 240 euro shtesë (120 euro për familje dhe 30 euro për secilin anëtar).

Aktualisht, MFPT është në proces të verifikimit të listave dhe presim që nga kjo masë të përfitojnë rreth 21,000 familje me rreth 81,000 anëtarë.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Qeveri “humanitare” dhe e “subvencioneve”

Ndërkaq, kritikat e komente mbi këtë vendim kanë dhënë zyrtarët e opozitës.

PDK e LDK po e cilësojënë pushtetin si qeveri që vetëm shpërndan subvencione dhe nuk ofron zgjidhje për familjet me asistencë sociale.

Koordinatori për Financa i PDK-së, Arben Mustafa, ka komentuar Qeverinë e Kosovës për vendimi e shpërndarjes së subvencioneve për familjet me asistencë sociale për blerjen e lëndëve djegëse me vlerë prej 5 milionë eurove.

Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës i kishte braktisur këto familje duke mos bërë asnjë rritje të shumë së përfitimit social.

Por ai e ka parë këtë veprim si të vonuar dhe për mungesën e një zgjidhje të qëndrueshme për qytetarët.

Kjo qeveri si duket është përcaktuar që ta përfundojë mandatin me “harrnime” të tilla të përkohshme dhe të mos ofrojë asnjë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.” – ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndërsa, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Berat Rukiqi, ka kritikuar Qeverinë, duke e cilësuar si një veprim populist i Qeverisë Kurti.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Qeveria Kurti është shndërruar në një organizatë joqeveritare humanitare.

Organizata Joqeveritare “Qeveria Kurti”. Kryemashtruesi, nen presion nga skandalet, me deshtime ne çdo fushe qe i prek qytetaret e vendit dhe nen sanksione, i kthehet edhe njehere kartes te popullizmit. E ka shendrruar qeverisjen ne nivelin e nje organizate qe shperndan ndihma.” – ka shkruar ndër të tjera Rukiqi në Facebook-un e tij.

Në vazhdimësi opozita ka kritkuar Qeverinë Kurti për mungesën e investimeve madhore dhe fokusimine saj vetëm te shpërndarja e subvencioneve.

Të ngjashme