Lajme
Patentë shoferët po u konfiskohen qytetarëve nga policia pa bazë ligjore
Demokracia
16:41 | 13 Maj 2022

Share:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka publikuar raportin e inspektimit të administrimit të patentë shoferëve të konfiskuar për vitit 2021 dhe në dymujorin e parë të vitit 2022.

Inspektorët e IPK-së kanë kontrolluar gjithsej 335 dosje të kundërvajtjeve në stacionet policore të Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut, Pejës, Prishtinë Jugu dhe Prizren  Alfa.

Nga inspektimi i kryer ka rezultuar se në disa raste, patentë shoferët janë konfiskuar pa bazë ligjore, përcjell Demokracia.com.

“Inspektorët kanë kontrolluar 335 dosje të kundërvajtjeve me konfiskim dokumentesh, ku në 330 prej tyre janë gjetur të arkivuara patentë shoferët. Në shtatë nga tetë stacione të inspektuara është hasur praktikë e atillë që me rastin e shqiptimit të kundërvajtjeve, që përcillen me masa mbrojtëse dhe pikë negative, në të gjitha rastet janë konfiskuar patentë shoferët, të cilat gjatë inspektimit janë gjetur të arkivuara. Kurse, nga ana e një stacioni tjetër policor, patentë shoferët janë konfiskuar nga njësitë policore në momentin c shqiptimit të kundërvajtjeve, por që janë kthyer më pas, pasi që janë paguar gjobat. IPK-ja edhe më parë ka raportuar mbi mënyrën dhe praktikimin e marrjes (konfiskimit) të patentë shoferëve për kundërvajtjet që përcillen me pikë negative dhe masa mbrojtëse”, thuhet në raportin e IPK-së, përcjell Demokracia.com.

IPK-ja e ka konsideruar si të gabuar marrjen e patentë shoferëve nga ana e Policisë së Kosovës.

“Praktika e tanishme e marrjes së patentë shoferit (përveç rasteve të cekura në ligj) është e gabuar dhe për këtë duhet që Policia të njoftojë pjesëtarët e saj për rastet (situatat) kur ata duhet të konfiskojnë patentë shoferët. Lidhur me këtë, IPK është njoftuar se Policia është në proces të rishikimit të udhëzimit në fjalë, me çka dhe pritet të qartësohet çështja e marrjes së patentë shoferëve. Çmohen angazhimet për harmonizimin e rregullativës ligjore për sigurinë në trafik rrugor dhe inkurajohet autoriteti policor që në fokus të trajtimit të udhëzimit përkatës, ta ketë harmonizimin e tij me dispozitat e legjislacionit aktual. Konfiskimi i patentë shoferëve (përveç situatave të parapara me ligj), para se fletëparaqitjet për kundërvajtjet të marrin formën e prerë, nuk kanë bazë ligjore dhe njëkohësisht mund të cenojnë të drejtat e palëve në procedurë. Përderisa nuk ka qasje ndryshe nga praktikat e deritanishme të marrjes së patentë shoferëve, IPK qëndron pas rekomandimit të dhënë në Raportin e Inspektimit (datë 19.11.2019)”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, IPK ka vlerësuar se zyrtarët përgjegjës në SIPK kanë futur të dhënat pa i përcaktuar afatet ligjore.

IPK është interesuar të njihet me funksionimin e SIPK-ut dhe procedurën e evidentimit lidhur me futjen e të dhënave në të. Sipas procedurave të parapara ligjore, futja e të dhënave për kundërvajtësin, për të cilin përveç gjobës janë shqiptuar pikë negative apo masa mbrojtëse, duhet proceduar evidentimi në bazën e të dhënave brenda afatit të përcaktuar ligjor. Për këtë evidentimin e pikëve negative dhe të masave mbrojtëse në evidencën e shoferit, këto masa evidentohen: (a) nëse brenda tetë ditëve nga data e shqiptimit të kundërvajtjes, nuk ushtrohet kundërshtim; dhe (b) me vendim të plotfuqishëm të organeve kompetente.

Nga fletëparaqitjet e inspektuara, të cilat janë proceduar në sistem, zyrtarët përgjegjës të SIPK i kanë futur të dhënat pa respektuar afatet e përcaktimit ligjor.

IPK-ja i rekomandon Zyrës Ligjore në kuadër të Policisë së Kosovës, që në vazhdën e rishikimit të legjislacionit dytësor të eliminojë të gjitha paqartësisë rreth marrjes-konfiskimit të patentë shoferëve  dhe kohës së evidentimit të rasteve në SIPK, duke siguruar që të jetë në harmoni me legjislacionin primar, raporton Demokracia.com.

Ndërsa, në komentet e strukturës policore thuhet se “Policia e Kosovës ka konstatuar se ka paqartësi, andaj lidhur me këtë çështje ka propozuar që në udhëzimin të futet në plan legjislativ të MPB-së për aktet nënligjore për vitin 2020, 2021 dhe 2022 për ndryshim-plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 15/201 për Procedurën e Kundërvajtjes në Trafikun Rrugor dhe i cili për këtë vit po shpresojmë që do të miratohet, pasi që i ka kryer të gjitha procedurat e parapara për hartim të aktit nënligjor (konsultimin paraprak dhe tani është në procedurat  e konsultimit publik, ku priten edhe komentet). Për informim, zyrtar përgjegjës për plotësim-ndryshim të këtij udhëzimi është Kryesuesi i Komisionit për Vendosjen dhe sipas tij është adresuar edhe kjo çështje në këtë udhëzim.

Po ashtu, Inspektorati Policor i Kosovës u ka rekomanduar stacioneve policore që me rastin e evidentimit të të dhënave në SIPK, të sigurohen gjithnjë se kanë evidentuar të dhënat e plota lidhur me kundërvajtjet.

Ndërsa, në komentet e strukturës policore janë zotuar se do të ushtrohet kontroll më i madh, që rastet të evidentohen me të dhënat e plota lidhur me kundërvajtjet dhe do të udhëzohen përmes një qarkore të gjitha njësitë policore për zbatim./Demokracia.com/

Të ngjashme