Lajme
Pastrohet rruga për Kryeprokuror – Gjykata hedh poshtë ankesën e Shqipdon Fazliut
Demokracia
15:49 | 05 Gusht 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë ankesën e Shqipdon Fazliut për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në aktvendimin të cilin e posedon Paparaci, Gjykata Themelore e ka shpallur të pasafatshme ankesën e Fazliut kundër procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial.

Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, prokurori Shqipdon Fazliu ka thënë se pas konsultimit final me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, do të shqyrtojë mundësinë që të ngrisë padi kundër Gjykatës Kushtetuese.

E gjitha pasi kjo e fundit vendosi t’i shpallë të papranueshme kërkesat e parashtruara nga Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit, të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se kjo gjykatë vendosi t’i shpallë të papranueshme këto kërkesa, me arsyetimin se parashtruesit nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike.

Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ngjalli reagime të ashpra në Kosovë duke bërë që edhe ambasadorë të vendeve të zhvilluara të shprehin zhgënjimin e tyre në lidhje me procesin.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), pas një procesi disa javor ku garuan disa kandidatë, votoi në mënyrë unanime njërin prej tyre, Blerim Isufaj, për Kryeprokuror të Shtetit dhe e rekomandoi atë për dekretim te presidentja.

Kritikat u hodhën poshtë menjëherë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili në reagimin për publikun tha se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit ishte plotësisht legjitim.

KPK shprehet, se i ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj.

Këto procedura sipas KPK-së  janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Më 13 qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Konkretisht ishin refuzuar kundërshtimet e kandidatëve, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Por, ndryshe nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024