Lajme
Pasi u armatos rëndë nga Kina, Vuçiq e krahason Kurtin e Gjukanoviqin me miza
Demokracia
12:51 | 13 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kishin kritikuar Serbinë për blerjen e armëve nga Kina.

Serbia po vazhdon të blejë armë nga Kina dhe kjo ka bërë që të reagojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Të martën, presidenti Serb, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar nga Kurti e Gjukanoviq që ta lënë Serbinë të qetë, pasi që sipas tij, këta dy e akuzuan shtetin fqinj për blerjen armëve nga Kina.

Këto komente Vuçiq i bëri pasi që ditë më parë, Kurti për blerjen e armëve nga Kina kishte thënë se “kjo është një shprehje e frikës së tyre se mund të mbeten të vetëm”, kurse presidenti malazez Milo Gjukanoviq, ka thënë se “armatosja e Serbisë po bëhet nga vendet që paraqitën armiqësore ndaj Bashkimit Evropian dhe Aleancës Veri-Atlantike”.

Vuçiq ka deklaruar se shtetet fqinje të Serbisë janë duke bërë propagandë pas blerjes së armatimit nga Kina.

“Gjashtë muaj më parë fushata kundër Serbisë është intensifikuar nga disa qendra të huaja të pushtetit, por natyrisht edhe nga pjesa e rajonit që suksesin e saj e sheh gjithmonë në dështimin e Serbisë. Urrejtja më e theksuar ndaj çdo gjëje që është serbe vjen nga Albin Kurti e Millo Gjukanoviq. Ata po mundohen të paraqiten si viktima, kurse Serbinë si agresore. Kështu, ata shfrytëzuan rastin për të paraqitur blerjen tonë, legjitime dhe transparente të sistemit kinez të mbrojtjes ajrore FK 3 apo HQ-22, që janë armë mbrojtëse, për të na paraqitur si aleatë kinezë apo rusë, megjithëse nuk ka të bëjë asgjë me Rusinë dhe vetë Serbia është e rrethuar nga NATO. Ata nuk janë në gjendje të thonë se në çfarë mënyre i rrezikojnë këto armë mbrojtëse”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, ky është një sistem mbrojtës dhe asgjë më shumë dhe nuk ka arsye përse të shqetësohen apo rrezikohen Kosova dhe Mali i Zi, transmeton Demokracia.com.

“Ky sistem është për t’i shkatërruar raketat e lundrimit apo avionët e armikut. Pyes veten se si kjo e rrezikon Prishtinën apo Podgoricën”, theksoi Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Serbia është shtet i pavarur dhe dëshiron të përkujdeset për mbrojtjen e vendit të saj, e jo këtë të bëjë NATO.

Ai madje është tallur me forcat ajrore që ka Kosova dhe Mali i Zi, duke thënë se Serbia më mirë do të ishte të blinte sprej për t’u mbrojtur nga mushkonjat e mizat, pasi ka rrezik më të madh nga to.

Vuçiq po ashtu ka thënë se “në cirk shihni luanë, tigra e elefantë, por nuk shihni një ujk të vetmuar”.

“Për shaka, do të ishte më mirë të blinim sprej ‘autan’ për t’u mbrojtur nga tufa mizash apo mushkonjash, sesa nga çdo forcë ajrore që ata zotërojnë. Kur Albin Kurti thotë se Serbia ka frikë se do të mbetet e vetme, i them se sot Serbia është e vetme si një shtet neutral në rajon. Do t’ju kujtoj se gjithmonë në një cirk mund të shihni luanë, tigra e elefantë, por nuk shihni ndonjë ujk të vetmuar. Ne në Ballkan kemi mjaft kafshë të tilla të mëdha të egra dhe unë më tepër do të pranoja rolin e një ujku të vetmuar sesa rolin e hienave të paturpshme dhe të pamoralshme, qofshin tri, pesë, gjashtë apo 19-të të tilla. Edhe më keq se hienat, të cilave duhet t’ua pranosh sa i përket thithjes së gjakut, më keq është me miza që presin nga hienat t’u sjellin ndonjë pre, dhe të tillë janë Albin Kurti e Millo Gjukanoviq. Ata kanë shqetësime shumë më të mëdha, sepse Serbia do ta ruajë paqen dhe stabilitetin, ndërsa juve ju mbetet krimi, korrupsioni dhe problemet ekonomike, por nuk dua të ndërhyjë në këtë. Kërkesa ime është që ta lini Serbinë të qetë, të mos gënjenin dhe mashtroni opinionin. Serbia do ta gjejë rrugën siç duan qytetarët e saj. Jemi krenarë për faktin se duam të mbrojmë vendin tonë dhe jo që të na mbrojë NATO. Ne jemi të ndryshëm në këtë, jemi krenarë dhe nuk na vjen turp”, tha Vuçiq. /Demokracia.com/

Të ngjashme