Lajme
Pasi e bëri “çerdhe” familjare, Gërvalla me një vendim të kontestueshëm pritet t’i ndalojë punësimet familjare në MPJD
Demokracia
14:20 | 07 Mars 2024

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pritet së shpejti të zyrtarizojë një vendim që ndalon punësimin e familjarëve të të punësuarve në këtë ministri.

Pas rehatimit të familjarëve të afërt me pushtetin dhe lëshimit të certifikatës për kinse kryerje të praktikës në MPJD për çikën e saj, pa vijuar asnjë ditë punë, Donika Gërvalla ka javë që po ‘matet’ ta nënshkruajë një vendim të ri për punësime.

Në një draft-vendim që e ka parë Demokracia.com thuhet se ndalohet punësimi i familjarëve deri në shkallë të tretë të të punësuarve aktualë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në arsyetimin e vendimit të cilin e ka parë Demokracia.com thuhet se punësimi i personave që kanë lidhje familjare me të punësuarit aktualë në MPJD do të rezultonte me detyrimin e MPJD për të shfrytëzuar burime të mëdha njerëzore për të parandaluar konfliktin potencial të interesit gjatë zhvillimit të aktivitetit të kësaj ministrie.

Po ashtu, në vendim thuhet se punësimi i familjarëve i pamundëson MPJD-së për të shfrytëzuar potencialin e plotë të të punësuarve të saj.

Gjithashtu, aty thuhet se punësimi i personave me lidhje familjare me të punësuarit aktualë të ministrisë ndikon në rritjen e nivelit të rrezikut në një nivel të papranueshëm, ndikon negativisht në efikasitetin e ministrisë, dëmton besueshmërinë e publikut në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht është në kundërshtim me interesin publik.

Por, pak javë më herët, vetë Donika Gërvalla vendosi që t’i dërgonte burrë e grua, punonjës lojalë të saj, në misione konsullore brenda një shteti, me distancë shumë të afërt.

Ajo dërgoi Hamdi Bërbatovcin dhe bashkëshorten e tij Dardanë Çitaku në misione të ndryshme konsullore në Gjermani.

Burrë e grua kanë nisur punën në dy konsullata në Gjermani, të cilat janë në distancë nga njëra-tjetra rreth 200 kilometra.

Po ashtu, edhe shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, i ka rehatuar dy familjare në Ministrinë e Jashtme të Donika Gërvallës. Dy motrat, Kaltrina dhe Flaka Dalipi, familjare të Luan Dalipit, janë punësuar në të njëjtën ministri, njëra si zëvendësuese e shefes së prokurimit’ e tjetra si zyrtare e misionit diplomatik.

Për më tepër, në vitin 2022 edhe vajzës së vet të mitur, Donika Gërvalla, i kishte lëshuar certifikatë me nënshkrimin e asistentes së saj për nevoja personale në Gjermani gjoja që kishte kryer praktikë në kabinetin e saj.

SKANDALOZE| Gërvalla e shndërron ministrinë në “çerdhe” familjare, vajza e mitur e saj kreu praktikë në MPJD me ligje gjermane

Demokracia.com kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast, duke publikuar edhe shkresat zyrtare që dëshmonin sesi ministrja Gërvalla e kishte vendosur ministrinë, asistenten dhe vulën e MPJD-së në dispozicion të vajzës së vet. Një shembull i tillë, që një e mitur të përfundonte praktikë dhe të certifikohej nga institucionet e larta, nuk ishte hasur më herët në Kosovë. Kjo praktikë në kabinetin e nënës së saj, e cila drejton një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, siç shkruante në dokumentin zyrtar, madje ishte kryer edhe sipas dispozitave të ligjit gjerman. /Demokracia.com/

DOKUMENTE| Dyshime për shkelje ligjore në MPJD, burrë e grua dërgohen në misione konsullore në Gjermani

 

Të ngjashme