Lajme
DOKUMENTE| Dyshime për shkelje ligjore në MPJD, burrë e grua dërgohen në misione konsullore në Gjermani
Demokracia
21:15 | 03 Dhjetor 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz, ka nxjerrë dy vendime për Hamdi Bërbatovcin dhe bashkëshorten e tij Dardanë Çitaku, për emërim në misione të ndryshme konsullore në Gjermani. Çifti njihet për dëgjueshmëri të madhe ndaj Gërvallës në MPJD. 

Shumë vendime të ministres Gërvalla-Schwarz janë kontestuar sa i përket ligjshmërisë së tyre. Në rastin e Hamdi Bërbatovcit janë tejkaluar tri grada diplomatike, që kërkohen për pozitën e shefit të konsullatës.

Demokracia.com ka siguruar vendimet ku në më pak se dy muaj, Donika Gërvalla-Schwarz i ka sistemuar burrë e grua në dy konsullata në Gjermani, që janë në distancë nga njëra-tjetra rreth 200 kilometra. Hamdi Bërbatovci dhe Dardanë Çitaku kanë filluar punën nga 1 dhjetori i këtij viti.

“Z. Hamdi Bërbatovci, me gradën diplomatike Këshilltar, emërohet Shef i misionit konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Republika Federale e Gjermanisë, me mandat katër vjeçar. Z. Bërbatovci, fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të tij në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Republika Federale e Gjermanisë, nga data 01/12/2023”, shkruan në vendimin për Bërbatovcin, përcjell Demokracia.com.

Ndërkaq, me një vendim të datës 17 nëntor, bashkëshortja e tij Dardanë Çitaku, me gradën zëvendëskonsulle është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme në Frankfurt.

“Znj. Dardanë Çitaku, me gradën konsullore zëvendëskonsulle, caktohet të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë, me mandat katërvjeçar. Znj. Çitaku, fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të saj në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë, nga data 01/12/2023”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministrja Gërvalla. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme