Lajme
Në Kosovë kërkohet hartimi i një Ligji për parandalimin e vetëvrasjes
Demokracia
18:06 | 29 Prill 2024

Share:

Disa organizata të shoqërisë civile kanë nisur një peticion për hartimin e një projektligji për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë.

Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar të hënën, në Prishtinë.

Përfaqësuesi i këtyre organizatave, Bind Skeja, tha se ata po kërkojnë një projektligj që duhet të përfshijë shërbime klinike për parandalimin e vetëvrasjeve, integrim të parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale, mekanizma për ngritje të profesionalizmit të mediave gjatë raportimit për këto raste.

Përpos këtyre, ai shtoi se ky projektligj duhet të përmbajë shërbime dhe mbështetje sociale – jo klinike për persona me mendime të vetëvrasjes, mekanizma për reduktimin e qasjes në mjete vetë lënduese, programe specifike për komunitete jo shumicë, si dhe mekanizma për mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjes.

Ata e konsideruan jetike krijimin e një Ligji që i ngërthen të gjitha këto pika, prandaj kanë ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjiten kësaj kauze përmes nënshkrimit të peticionit.

Më tej, Skeja, ka theksuar se niveli institucional nuk ofron as edhe një shërbim për parandalim të këtij veprimi.

“Nuk ka programe për të mbijetuar të vetëvrasjes, nuk ka rrjete të shërbimeve të cilat mbështesin individët me mendime për vetëvrasje, nuk ka plane të ri-integrimit, e as nuk ka mbrojtje të familjeve të viktimave”, potencoi ai në një konferencë për media.

Sipas tij, e vetmja gjë që ofrohet janë disa ditë të mbyllura në psikiatri, për trajtim pa vullnet, gjë që tha se Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e cilëson si shkelje e të drejtave të njeriut.

Ai tregoi se organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të aktivistëve kanë kërkuar vazhdimisht që të ndërmerren masa lidhur me këtë çështje.

“Këto thirrje janë pritur me heshtje, ndonëse kurdo që ka raste tragjike të cilat marrin hov në media, shtresa politike i ka statuset e mbuluara me nuanca të vajtimit. Fjalë ka shumë, por ndonëse kanë fuqi vendimmarrëse mbesin vetëm si të tilla. Kjo për neve është një situatë hipokrite e cila nuk duhet të tolerohet”, shtoi ai.

Kjo nismë konsiderohet që do të sjell disa ndryshime pozitive.

“Jemi të bindur se me këtë peticion jemi duke filluar një proces të pakthyeshëm të shërimit të plagëve tona komunitare e drejt një Kosove e cila e trajton vetëvrasjen me seriozitet, empati dhe përkrahje deri në pikën kur Kosova është me të vërtet shtet pa vetëvrasje”, vlerësoi Skeja.

Në mënyrë që peticioni të jetë i vlefshëm duhet të grumbullohen 10 mijë nënshkrime.

Ato do të mblidhen në Prishtinë, Pejë, Prizren, e Gjakovë.

Ndërkaq, psikologia, Suela Jahja, potencoi se është shumë e rëndësishme të ketë një Ligj për vetëvrasjen.

“Duke ditur që kemi një numër të lartë të vetëvrasjes duhet të ndalohet ky fenomen. Ligji e vë përpara përgjegjësisë për të kuptuar sa e shenjtë është jeta. Duhet të ketë linja telefonike të hapura 24 orë, ku qytetarët të bëjnë thirrje dhe të marrin ndihmën e nevojshme menjëherë”, tha ajo në një përgjigje për Albanian Post.

Sipas saj, Ligji për vetëvrasjen mund të përmirësoj situatën në vend.

“Patjetër që do e stabilizojë situatën në vend dhe jam e bindur që do ketë rënie të numrit të vetëvrasjes dhe e dimë nëse bashkëvepron Ligji dhe institucionet e shëndet mendor së bashku dhe ne si shoqëri ndihmojmë, patjetër që do e uli numrin e vetëvrasjes”, ka shtuar psikologia.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe sociologu, Labinot Kunushevci.

“Nëse implementimi i tij do të bëhej në mënyrë të kontrolluar nga institucionet publike, nga profesionistët dhe ekspertët, me përgjegjësi dhe kompetenca të plota, duke garantuar konfidencialitetin e secilit person që mbështetet”, potencoi sociologu.

Përveç kësaj, për Albanian Post, ai thekson se edhe sociologët do të duhet të përfshiheshin në këtë nismë.

“Ky Ligj do të tregonte seriozitetin e shtetit në raport me mirëqenien e qytetarëve. Në mesin e profesionistëve të përfshirë që ofrojnë mbështetje, do të duhej të kishte edhe sociologë që trajtojnë faktorët apo krizat sociale që shtyjnë drejt vetëvrasjes dhe mënyrat e integrimit të tyre në shoqëri”, ka shtuar Kunushevci.

Ndërkohë Policia e Kosovës, në një përgjigje për Albanian Post ka njoftuar se gjatë vitit 2023 janë raportuar 42 raste të vetëvrasjeve dhe 120 raste në tentativë.

Ndërsa, sipas tyre, nga janari deri më sot janë të raportuara 10 raste të vetëvrasjeve dhe 42 persona kanë tentuar të kryejnë vetëvrasje.

Të ngjashme