Lajme
Pas sistemimit të anëtarit të GUXO-s, reagon ministria e Gërvallës
Demokracia
22:42 | 14 Dhjetor 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes një reagimi ka reaguar ndaj lajmit për punësimin e njerëzve të GUXO-s me projekte në diplomaci.

Në reagimin e MPJD-së thuhet se disa prej medieve elektronike përmes titujve tendencioz e sugjestiv kanë keqinformuar opinionin publik, duke krijuar përshtypje të gabuara mbi përzgjedhjen e disa prej kandidatëve në Programin e Diplomacisë Qytetare.

MPJD thotë se e informon dhe garanton opinionin publik se procesi i përzgjedhjes së 25 kandidatëve nga 84 aplikime sa ishin gjithsej ka qenë i hapur për të gjithë, i paanshëm, dhe në bazë të meritave profesionale të secilit kandidat.

DOKUMENT | Donika Gërvalla gjen mënyra të reja për të paguar anëtarë të GUXO-s me para të shtetit – Demokracia

“Përzgjedhja e kandidatëve për Programin për Diplomaci Qytetare ka aplikuar dhe respektuar çdo ligj, rregull apo procedurë ligjore sipas rregullave dhe ligjeve të Republikë së Kosovës dhe duke aplikuar vetëm kriterin e meritokracisë. MPJD sqaron opinionin publik se përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga Komisioni Vlerësues, i cili gjithashtu ishte përzgjedhur sipas thirrjes së hapur nga MPJD”, thuhet në reagim.

Për më tepër, sipas reagimit, shumica e anëtarëve të këtij Komisioni ishin anëtarë jashtë MPJD-së, respektivisht përfaqësuesve nga bota akademike dhe shoqëria civile dhe përzgjedhja e kandidatëve për Programin e Diplomacisë Qytetare është bërë në diskrecion të plotë vetëm nga ky Komision.

MPJD thotë se është e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe informimin e saktë të opinionit publik për të gjitha çështjet e ministrisë dhe shpreh keqardhje që mediumet të cilat kanë publikuar këtë lajm keqinformojnë opinionin publik.

“Ritheksojmë se interesi i vetëm në këtë proces ka qenë dhe mbetet përzgjedhja e profesionistëve të rinj nga diaspora që kanë përvojë dhe kualifikime, të cilat do t’i shërbejnë ndërlidhjes më të madhe të mërgatës  me vendin tonë dhe të promovimit dhe prezantimit sa më të mirë të interesave kombëtare të vendit në marrëdhëniet me jashtë”, përfundon reagimi. /Demokracia.com/

Të ngjashme