Lajme
DOKUMENT | Donika Gërvalla gjen mënyra të reja për të paguar anëtarë të GUXO-s me para të shtetit
Demokracia
22:15 | 08 Dhjetor 2023

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, po e shfrytëzon institucionin e shtetit për të angazhuar dhe paguar me para të qytetarëve edhe anëtarët e partisë së vogël të saj dhe fëmijët e përkrahësve të tyre.

Kryetari i partisë Guxo në Gjermani, Berlind Gajraku, është përzgjedhur nga MPJD në programin për Diplomaci Qytetare 2023.

Gajraku, siç merr vesh Demokracia.com, do të paguhet rreth një mijë euro në muaj.

Se ai është kryetar i partisë Guxo në Gjermani e dëshmon edhe kjo fotografi e publikuar nga deputeti i Guxo-s, Haxhi Avdyli.

Gajraku është renditur i 16-ti në listën përfundimtare të kandidatëve të përzgjedhur, e cila është publikuar në faqen e MPJD-së.

Përveç Gajrakut, pjesë e angazhimit është edhe Don Osmani, i cili edhe më herët ishte i angazhuar në institucionet e shtetit, por si praktikant.

Osmani e kishte përfunduar praktikën në vitin e kaluar në ambasadën e Kosovës në Hagë. Po ashtu, i afërt me pushtetit e ri duket edhe Agonis Jashari, i cili ka edhe foto me kryeministrin Kurti.

Ndërsa, me aq sa ka mundur të hulumtojë Demokracia.com, e afërt më pushtetin e ri duket të jetë edhe Rea Spahiu, e cila është vajza e Dukagjin Spahiut, që bazuar në rrjetin e tij social, Facebook, rezulton të jetë simpatizant i flakët i qeverisë së Kurtit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë kishte lansuar programin pilot për Diplomaci Qytetare.

Ky program u tha se ka për qëllim t’i ndërlidhë profesionistët e rinj nga diaspora, duke u ofruar hapësirë dhe mundësi angazhimi në kuadër të MPJD-së, si pjesë e një angazhimi gjashtëmujor (6) në Kosovë për t’i shkëmbyer njohuritë dhe përvojat e tyre në kuadër të diplomacisë qytetare, me fokus te diplomacia e diasporës, diplomacia publike dhe ajo ekonomike.

Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar programin për diplomaci qytetare 2023-2025.

Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, atë ditë ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij programi është të përforcojë lidhjen e diasporës me institucionet e Republikës së Kosovës, duke ofruar mundësinë e angazhimit profesional në institucionet publike të vendit për një periudhë prej deri në dhjetë muaj.

“Në vitin e parë të zbatimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofruar këtë mundësi për 10 bursistë (fellows), ndërsa tani synon të zgjerojë ndikimin duke angazhuar 25 profesionistë të rinj nëpërmjet thirrjes për gjeneratën e dytë të programit. Duke u angazhuar drejtpërdrejt në institucionet qeveritare, pjesëtarët e diasporës do të kenë mundësinë të kontribuojnë me dije, përvojë dhe ide të reja, duke krijuar një mjedis ku lidhen identiteti dhe kontributi i tyre në zhvillimin e vendit”, kishte bërë me dije zëvendësministrja Gashi. /Demokracia.com/

Agonis Jashari së bashku me kryeministrin Kurti

Të ngjashme