Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pasi u votua rezoluta për Gazën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas disa ditësh vonesë, tha se “problemi i vërtetë” për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza është “mënyra se si Izraeli kryen ofensivën e tij”.
“Shumë e matin efektivitetin e operacioneve humanitare në Gaza me numrin e kamionëve nga Kryqi i Kuq Egjiptian, OKB-ja dhe partnerët tanë që janë në gjendje të kalojnë kufirin. Është një gabim. Problemi i vërtetë është mënyra se si Izraeli po kryen ofensivën, e cila krijon pengesa të mëdha për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza”, tha Guterres.
Ai theksoi se një armëpushim humanitar është mënyra e vetme për të filluar përgjigjen ndaj “nevojave të dëshpëruara të popullsisë në Gaza dhe për t’i dhënë fund makthit në të cilin ata po jetojnë”.