Lajme
Pas Macronit, Osmani i reagon ashpër edhe shefit të NATO’s
Demokracia
17:52 | 07 Shtator 2023

Share:

Arrogancë e mendjemadhësi dhe gjuhë aspak diplomatike, sikur të ishte presidente e një shteti që posedon armë bërthamore, kështu po sillet së fundmi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas reagimit të ashpër që bëri ndaj presidentit francez Emmanuel Macron, Osmani i reagoi sot pothuajse njëjtë edhe sekretarit të përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenberg.

Gjatë një konference për media, Stoltenberg tha se çdo zbarkim i forcave speciale në veri kërkon pajtimin nga KFOR-i.

Stoltenberg: Çdo zbarkim i forcave speciale në veri kërkon pajtimin nga KFOR-i

Por, Osmani e kundërshtoi shefin e organizatës që kujdeset për sigurinë e Kosovës.

Ajo tha se në marrëveshjen e vitit 2013 përmendet vetëm Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe jo edhe Policia e Kosovës.

Osmani tha se si presidente insiston që bashkëpunimi me aleatët e Kosovës duhet të vazhdojë për gjithë territorin e Kosovës.

Osmani i përgjigjet Stoltenbergut, thotë se marrëveshja e vitit 2013 vlen për FSK-në, por jo dhe për Policinë

“Marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm FSK-ja. Policia e Kosovës ka vepruar dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës më shumë se dy dekada. Dje e festuam dhe shënuam përvjetorin e Policisë së Kosovës dhe që është forca më profesionale dhe shumë etnike. Si parim i koordinimit, si presidente insistoj që të bashkëpunojmë me aleatët tanë jo vetëm për veriun, pasi kemi jug, lindje e perëndim. Duhet të punojmë me aleatët tanë për secilin centimetër të territorit për gjithë rajonin…”, ka thënë Osmani.

Kjo deklaratë vije disa javë pas arritjes së marrëveshjes në Bratisllavë, ku Kosova u pajtua që të tërheq forcat policore nga veri, gjë të cilën edhe e bëri.

Këto ishin pikat e marrëveshjes për deeskalim të situatës.

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Në fund të muajit gusht, presidentja Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Osmani kërcënon hapur BE-në: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë vritet përgjithmonë

Të ngjashme