Lajme
Pas ankesave për fatura të rritura, ZRRE-së i kërkohet t’i rishqyrtojë tarifat
Demokracia
20:31 | 27 Dhjetor 2023

Share:

12 ankesa i ka pranuar deri të mërkurën Zyra e Rregullatorit të Energjisë lidhur me rritjen e faturave të energjisë elektrike, të shpenzuar në dhjetor. Në KESCO thanë se numrin e saktë të pakënaqësive të deponuara nga qytetarët nuk mund ta dinë, pasi ende nuk e kanë përmbyllur leximin e njehësorëve. E lidhur me çështjen, PDK-ja ka kërkuar që ZRRE-ja të bëjë rishqyrtimin e tarifave

Remzi Vila nga Ferizaj e pranoi pak ditë më parë, mbi pesëfish më të lartë sesa një muaj më parë, faturën për energjinë elektrike të shpenzuar në dhjetor.

I befasuar që do të duhet të paguaj 271 euro për 2 mijë e 500 kilovatët e shpenzuar, ai iu drejtua Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe KESCO-s me ankesë. Thotë se në të e shprehu dyshimin për keqfaturim.

“Jemi të befasuar me shumën marramendëse 2,500 kËh sa që akoma nuk jemi duke besuar a kemi instaluar ndonjë makinë të rëndë industriale në banesë apo një kalda elektrike që konsumon 8 kWh dhe të cilën kuptohet, nuk e kemi mbajtur ndezur 24 orë”, ka thënë Vila.

Që prej nisjes së shpërndarjes së faturave për dhjetorin, qytetarët shprehën ankesa nëpër rrjete sociale për rritje marramendëse të kostos. Në ZRRE thanë se deri të mërkurën, në adresë të tyre u deponuan 12 ankesa.

E në KESCO nuk u përgjigjën se sa ankesa pranuan, me justifikimin se ende nuk ka përfunduar leximi i njehësorëve. Sipas kësaj kompanie, nga 400 mijë konsumatorëve që deri me tani u janë lexuar njehsorët, 86 për qind kanë pranuar fatura nën 100 euro.

Në këtë kompani, një ditë më parë, e arsyetuan rritjen e faturave me shtimin e konsumit të energjisë për ngrohje dhe me mungesën e subvencionimit të tarifave nga Qeveria.

Në qershor, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve të energjisë elektrike, pas dyshimeve për keqfunksionim, që nga shtatori i 2021-s po bëhet në laboratorin e KEDS-it, e nga zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, kërkoi që për dyshimet, qytetarët që t’i drejtohen KESCO-s.

“Qytetarët nënkuptohet se duhet t’i drejtohen menjëherë furnizuesit në këtë rast KESCO-s, por nëse nuk ka një përgjigje të mirëfilltët edhe Zyrës së rregullatorit për energji”, ka deklaruar Kusari-Lila.

E nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, kërkon që ZRRE-ja t’i shqyrtojnë tarifat e energjisë.

“Është kërkesë imediate që Qeveria, bashkë me ZRRE-në, të fillojnë urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjitha akterët që kanë abuzuar me situatën në sektorin e energjisë”, ka thënë Ismaili.

E në ZRRE thanë për KOHËN se deri në fund të janarit, KESCO-ja do t’ua paraqesë aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale dhe se pas kësaj mund ta bëjnë vlerësimin.

“Pas vlerësimit përfundimtar nga ZRRE-ja lidhur me përshtatjet e vitit 2023 dhe vlerësimit të të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2024, FSHU duhet që deri më datën 8 mars 2024 të dorëzojë propozimet për tarifa me pakicë për konsumatorët me të drejtë të Furnizimit me Shërbim Universal”, është përgjigjur ZRRE-ja.

Në prillin e sivjetmë, ZRRE-ja pati vendosur strukturën e re tarifore, duke e rritur çmimin e energjisë për 15 për qind.

Të ngjashme