Lajme
“Para luftës jemi dënuar me 60 ditë burg për bojkot”, kryesindikalisti i Trepçës i çuditet që i ndëshkoi menaxhmenti
Demokracia
14:54 | 22 Gusht 2023

Share:

Bojkoti për katër ditë të punës u ka kushtuar me minus 176 euro në pagë, 151 punëtorëve të kombinatit “Trepça”. Këta punëtorë janë ndëshkuar nga kompania, ndonëse e drejta për grevë është e garantuar me Ligj. Minatorët janë çuditur me vendimin e marrë nga menaxhmeti.

“Ka ndodhur vetëm në ’99 kur na kanë hequr nga puna serbët dhe na i patën dhënë nga 60 ditë burg, çdo minatorë që ka qenë pjesëmarrës i grevës, i ka pasur 60 ditë burg me vendim. kjo ka ndodhur edhe qetash. Domethënë këto padrejtësi që po ndodhin nuk ndodhin edhe në shtetet ma komuniste”, fillon rrëfimi i Gani Osmanit, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.

Ai tha për Gazetën Express se janë të shqetësuar rreth vendimit të marrë nga menaxhmenti për t’i ndëshkuar ata pas grevës katër ditëshe.

Sipas tij, kjo është shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve.

“Për të gjithë minatorët kjo është shkelja më e madhe e që i behët një punëtori e posaçërisht punëtoreve të minierës. Kjo është shkelje flagrante. Nga pas lufta ne kemi bërë greva, nga ’99, kur ja ka nis Trepça me punu paslufte na ja kemi nis më mbajt greva e protesta, i kemi ndërru nja 20 drejtorë, borde e kryeshefa, nga një janë nuk kemi punuar dhe kemi mbajtur greva dhe askush kurrë nuk ka marrë masa , as mëditjet nuk ua ka hequr minatorëve se kanë kërkuar të drejtat e vet”, tha ai.

Osmani deklaroi se përveç heqjes së mëditjes, atyre u janë hequr nga paga edhe disa benefiicione të tjera, përfshirë edhe shujtën e ushqimit.

“Sipas asaj që po flitet punëtorët që i kanë marrë pagat muajin e kaluar i kanë marrë 170 euro më pak. Po folet që edhe në muajin gusht mos me ja u pagu pesë ditë pune. Po flitet që edhe 6 euro e kemi shujtën nuk kanë me i dhënë as ato dhe disa benifite të tjera”, tha tutje ai.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Enis Abdurrahmani ka thënë dje për Kosovapress se kanë marrë vendim për sanksionim me ndalesa të ekzekutimit të mëditjeve dhe shujtave ditore, për çdo person që e bojkoton punën.

“Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të meditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 përqind , mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër… Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës”, ka thënë Abdurrahmani.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas dënimit që minatorët e Trepçës morën për grevën e mbajtur për mos-pagesën e pagave nga shteti.

Haxhiu tha se një sjellje të tillë me minatorët nuk e ka pasur as regjimi i Millosheviqit.

“Minatorët nuk ka arritë me i nënshtru Serbia dhe nuk mund t’i nënshtroj as menaxhmenti i emruar nga Qeveria “Zdravo””.

Edhe nga SBAShK-u shprehën shqetësimin për këtë vendim të menaxhmentit të Trepçës.

SBASHK-u në reagim thotë se është e tmerrshme të ndëshkohen minatorët grevistë të kombinatit “Trepça”.

“E tmerrshme nëse ndëshkohen materialisht minatorët grevistë. Edhe për kundër shumë angazhimeve të djeshme në SBASHK na ka shqetësuar shumë informacioni se ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në ‘Trepçë’ paska marrë vendim skandaloz që të ndëshkojë 151 minatorë pse ata paskan bërë grevë të arsyeshme, sepse u janë vonuar pagat me të cilat ata mbajnë familjet, paga këto që i fitojnë me shumë mund e sakrifica e duke u përballur me të papriturat që vijnë në thellësitë e tokës”, thuhet në reagim

Të ngjashme