Lajme
Papa Françesku pritet të vizitojë Kosovën
Demokracia
21:08 | 04 Gusht 2023

Share:

Udhëheqësi shpirtëror i gjithë besimtarëve katolikë në botë, Papa Françesku, pritet të zhvillojë një vizitë në Kosovë së shpejti.

Këtë e ka konfirmuar vetë Papa gjatë një bisede që ai zhvilloi me gazetarët, ku ka folur ndër të tjera edhe për vizitat e pritshme në të ardhmen.

I pyetur nëse përtej agjendës zyrtare të deklaruar deri më tani, ka të tjera vende, të cilat pritet të vizitojë, Francesco u përgjigj qartë: Po punojmë për Kosovën, por ende nuk është caktuar një datë.

Ai madje risolli në kujtesë edhe vizitën e tij të parë evropiane në krye të Papatit, të cilën e zhvilloi në Tiranë.

Pasi u pyet mbi faktin se pse nuk e viziton Spanjën, nga ana e një gazetari spanjoll, ai u përgjigj se nuk ka më në plan të shkelë në asnjë vend të madh evropian, pa mbaruar fillimisht me të vegjlit.

“E nisa nga Shqipëria dhe nuk kam në plan të vizitoj vendet e mëdha evropiane, pa mbaruar punë me ‘të vegjlit’”, theksoi ai.

Papa e vizitoi Tiranën më 21 shtator 2014, ku përqafoi nga afër gjithë besimtarët katolikë shqiptarë dhe tregoi një mbështetje të pakufijshme për gjithë vuajtjet e besimtarëve gjatë kohës së diktaturës.

Ai u prek mbi të gjitha nga sakrificat e martirëve shqiptarë, të cilët sakrifikuan jetën në diktaturën e ashpër komuniste-ateiste, për të mbajtur gjallë frymën e katolicizmit në vend.

Prej asaj vizite, ai madje vlerësoi maksimalisht edhe don Ernest Simonin, i cili tashmë shërben si Kardinal në Vatikan.

Vizitat e Papës në vende të ndryshme të botës (mbi të gjitha ato të varfra), etiketohen si ngjarje madhore të një vendi, ku organizime të veçanta kryhen për mikpritjen e kreut të Kishës Katolike, i cili përmes fjalës së tij, ka influencë tek miliarda besimtarë në gjithë botën.

Të ngjashme