Lajme
Paligjshmëri të mëdha në ATK, KPMShCK-ja ia kthen në pikën zero procesin e ristrukturimit
Demokracia
14:53 | 27 Janar 2024

Share:

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë shkelje të mëdha ligjore në procesin e ristrukturimit, të cilin e ka filluar në vitin 2022. Këto paligjshmëri i ka konstatuar Këshilli e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pas një monitori të jashtëzakonshëm që ka bërë në këtë institucion.

ATK-ja e udhëhequr nga Ilir Murtezaj procesin e përcaktimit të organizimit të brendshme dhe sistematizimin e vendeve të punës nuk e ka realizuar në harmoni në ligjet në fuqi.

Në raportin e Monitorimit të Jashtëzakonshme të KPMShCK-së, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, evidentohet dhjetëra shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publikë, Ligjit për procedurën e Përgjithshme Administrative si dhe Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në ATK.

Procesin e monitorimit këshilli e ka filluar pasi ka pranuar një numrit të madh të ankesave nga nëpunësit civil në këtë institucion.

Këshilli ka vlerësuar se tri raportet e Komisionit të Ristrukturimit janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe rregulloren e miratuar për këtë çështje.

Në këtë mënyrë, këshilli ka rikthyer në pikën zero pothuajse gjithë procesin e ristrukturimit të ATK-së.

Në raportin e monitorimit, këshilli i ka nxjerr 6 rekomandime, të cilat flasin për mënyrën e rikthimit të ligjshmërisë në ATK.

Raporti, fillimisht, flet për funksionet dhe veprimet e Komisionit të Ristrukturimit, i cili ka nxjerrë tri raporte përfundimtare me propozime për sistemimin e nëpunësve civil të ATK-së.

Më pas, aty evidentohet shkeljet që janë bërë në procesin e sistemimit për nëpunësit civil në pozita drejtuese.

Në raport këshilli ka kërkuar nga ATK-ja që të kthehet ligjshmëria, duke ia bërë dy rekomandime, të cilat tregojnë se si mund kthehet ligjshmëria në këtë sektor.

Më tej, raporti flet për sistemimin e nëpunësve civil në pozita profesionale.

Edhe këtu, këshilli ka vlerësuar se ka pasur shkelje të mëdha ligjore.

Këshilli konstaton se raporti i KR/ATK-09/2022 në disa pika është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në raport.

Në këtë mënyrë këshilli ka rekomanduar që Komisioni i Ristrukturimit të përgatisë raport të ri lidhur me sistemin e nëpunësve civil.

Në pjesën e fundit të raportit të monitorimit, këshilli ka konstatuar shkeljet ligjore në pjesën e ristrukturimit ku flitet për inspektoret tatimor.

Duke ju referuar raportit me numër KR/ATK-09/2022 të datës 07.12.2022, Këshilli ka gjetur se, nga numri i përgjithshëm i nëpunësve civil, të cilët ushtronin pozitën e inspektorit, komisioni i ristrukturimit disa prej tyre i ka propozuar për transferim në pozitën e inspektorit të lartë tatimor- kategori profesionale 1, ndërsa disa të tjerë në pozitën e inspektorit të mesëm tatimor-kategori profesionale -2.”, thuhet në raport.

Këshilli thekson se pjesa dërmuese e pikave të këtij raporti janë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtaret Publikë, Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në ATK dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Edhe për këtë çështje këshilli i ka rekomanduar komisionit që të përgatisë raport të ri lidhur me sistemimin e nëpunësve civil.

Në shtator të vitit 2022, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte miratuar Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në ATK, e cila kishte hyrë në fuqi me 05.10. 2022.

Kjo rregullore ka pasur për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshme dhe sistematizimin e vendeve të punës në ATK.

Të ngjashme