Shfaqja “Pa mua” me tekst të Samuel Beckett dhe regji nga Alban Beqirajt dhe Shkurte Aliut, është një ftesë për të zhbiruar në dhembjen e një gruaje që nuk është më, një gruaje, e cila “nuk e di cili është momenti kur ka vuajtur më shumë”.
E shkruar nga një prej autorëve kryesor të absurdit, që ka përmbysur jo vetëm rregullat e dramaturgjisë e teatrit por edhe ato të gjuhës, rrëfimi “Pa mua” nuk është një shfaqje e zakonshme.
Gruaja e kësaj shfaqjeje nuk egziston më, ne jemi të ftuar të analizojmë kujtimet e saj, të jemi spektatorë të jetës dhe të vdekjes së saj, por jo përmes realitetit tonë, por përmes kujtimeve të përjetimeve të saj. Shfaqja na bën dëshmitar të një personazhi, i cili mendon që është dënuar nga Zoti, për të kuptuar më pas që ajo nuk ndjen dhembje, ashtu sikur nuk ka qenë e aftë të ndjejë kënaqësi gjatë jetës së saj. Mungesa e dhimbjes dhe e kënaqësisë mund të jetë një lloj ndëshkimi i llojit të vet dhe gruaja kalon nëpër periudha të ndryshme të jetës së saj, që nga lindja e saj, nga prindër që nuk i dashur, duke theksuar se ajo nuk ishte lindur nga dashuria por nga mungesa e saj.
Ajo vjen në përfundim që edhe nëse zoti e ka dënuar e ajo ska bërë asgjë për të merituar një dënim, ai nuk ka nevojë për një arsye të caktuar për të dënuar. Ajo vjen në një interpretim të arrirë nga Donikë Ahmeti e cila portretizon tendencën për të kuptuar pse i ka ndodhur ajo që i ka ndodhur. Personazhi i saj që nga fillimi shfaqjes sikur është vetëm disa sekonda klithjes e lebetitjes, duke i përcjellë audiencës një ndjenjë si paralajmërim ogurzi, një dhimbje e përzier me pamundësinë për të ndërhyrë në një tragjedi që tashmë ka përfunduar. Ajo bart mekanikisht kthimin prapa nga kujtimet kyqe të jetës së saj, që në një moment japin edhe sugjerime të përjetimit të dhunës seksuale, çka edhe do të mund të ishte një shpjegim i mundshëm për mungesën e prezencës së saj, në historinë e saj, në pamundësinë e vazhdueshme për të qenë prezent në një realitet që i ngjan më shumë dënimit se sa alternativave.
Rrëfimi i saj përfundon me pamundësinë për të bërtitur, por aty nuk përfundon edhe përvoja jonë në historinë e saj. Audiencës i bëhet ftesë të kalojë nga Skena e Vogël në skenën kryesore të Teatrit Kombëtar, ku përformojnë tre karaktere, të cilët vazhdojnë të rrëfejnë historinë e personazhit, i cili mungon. Rajmonda Ahmetaj, Labinot Raci dhe Afrim Muqaj, janë në rolet e tre personazheve kyq në jetën e gruas; të mamisë, e cila e lindi, mësuesit të parë dhe të varrmihësit.
Kjo pjesë e shfaqjes, në stilin e vërtetë becketian prek limitet e vetëdijes dhe të pavetëdijes, duke luajtuar me fjalët dhe relativitetin e kuptimit të tyre. Aktorët nuk janë më personazhe dhe në mungesë të personazheve të mirëfillta edhe kuptimi nuk ndjek rrjedhën logjike, por luan me ne dhe me gjërat që kanë kuptim për ne, duke përmbysur rrënjësisht edhe mënyrën se si jemi mësuar t’i shohim./Demokracia.com