Lajme
Osmani në takim me ministrin e Turizmit të Izraelit, kërkon të finalizohet procesi i heqjes së vizave
Demokracia
14:50 | 12 Shtator 2023

Share:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur këtë të martë në takim ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka shprehur nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.

Tutje, bëhet e ditur se Osmani ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.

“Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media.

Osmani thuhet se është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog.

Të ngjashme