Lajme
Osmani i dhuron libra Bibliotekës Shqipe të Manastirit, mes tyre asnjë për UÇK-në
Demokracia
19:06 | 27 Prill 2023

Share:

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në një ceremoni të mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Shkup, i ka dhuruar një kontigjent librash Bibliotekës Shqipe të Manastirit, e cila është në themelim e sipër.

Por, siç duket nga fotografitë e publikuara nga Presidenca, mes këtyre librave nuk figuron asnjë që i kushtohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë i ndonjë autori vendor apo të huaj, shkruan Demokracia.com.

Në njoftimin e Presidencës, thuhet se presidentja Osmani ka përgëzuar nismëtaren Emira Selimi për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për hapjen e bibliotekës së parë të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit. Tutje, Osmani ka potencuar se kjo iniciativë studentore nuk do të mund të ndodhte në ndonjë qytet më adekuat se ai i Manastirit, aty ku edhe buron alfabeti jonë i njësuar dhe gjuha jonë e unifikuar.

“Është gjithashtu inkurajuese që kjo iniciativë është ndërmarrë nga një vajzë dhe besoj fort se si plot iniciativa tjera frymëzuese nga gratë dhe vajzat, impakti i saj do të jetë jashtëzakonisht i madh. Përfitimet e kësaj biblioteke janë afatgjate dhe do të shkojnë përtej brezave”, ka theksuar presidentja Osmani në ceremoninë e dorëzimit të librave studentes Emira Selimi.

Në fjalën e saj, Emira Selimi i shprehu mirënjohje Osmanit për dorëzimin e librave. /Demokracia.com/

Të ngjashme