Lajme
Osmani e Kurti i ikin Paradës së Krenarisë
Demokracia
15:30 | 09 Qershor 2022

Share:

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani assesi nuk kanë gjetur kohë që të marrin pjesë në Paradën e Krenarisë, që u mbajt sot në Prishtinë, me qëllim promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ.

Në kohën që po mbahej parada, Kurti ishte në zyrat e EULEX-it për ta takuar shefin e zyrës së BE-së, Thomas Szunyog dhe për të ndarë mirënjohje për policët e këtij misioni. Mirënjohjet i ndau, por Kurti nuk u takua me Szunyog, pasi ky i fundit mori pjesë në paradë.

Një takim më të rëndësishëm se parada duket se e pati edhe presidentja. Ajo sot vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u prit nga komandanti Bashkim Jashari për ‘diskutime përmbajtjesore’.

Për dallim nga shefi i ekzekutivit, në paradë morën pjesë disa deputetë të VV-së. Përkrah marshuesve u panë ministrat Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci, Artane Rizvanolli dhe deputetët Dimal Basha, Mimoza Kusari-Lila e Fitore Pacolli.

Pjesë e kësaj parade nuk ka qenë as kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, pasi i njëjti është duke zhvilluar vizitë zyrtare në Austri ku bashkë me homologun e tij sot kanë folur për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Në përkrahje të komunitetit LGBTIQ+ dolën ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe deputetë të partive tjera.

Projekt-kodi civil

Në mars, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur përpara vetes një projekt-kod, sipas të cilit lejohet regjistrimi i ‘bashkësive civile’ ndërmjet personave me gjini të njëjtë, mirëpo nuk definohet se çka është ‘bashkësia civile’. Ky projekt-kod nuk arriti të votohet, për shkak se shumica e deputetëve ose votuan kundër ose abstenuan, pikërisht për shkak të nenit që fliste për bashkësitë civile.

Në Projektkodin Civil shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”. Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Një përkrahje për këtë komunitet nuk e pati pothuajse asnjë qeveri. Pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ vazhdojnë të heshtin rreth orientimit te tyre seksual, pasi sipas tyre, ata nuk pranohen dhe janë viktima të dhunës seksuale, fizike e psikike. Veliu nga CSGD tha se Parada e Krenarisë organizohet për të gjashtën herë, mirëpo jo gjithmonë, liderët shtetërorë kanë qenë të pranishëm. Ai tha se edhe vitin e kaluar, e kanë ftuar parinë e shtetit të Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk ishin përgjigjur ftesës dhe si përfundim nuk dolën në paradë.

Të ngjashme