Lajme
Llogaria e gabuar | Kurti ia dhuroi tokat Manastirit të Deçanit, por Kosova nuk po e siguron anëtarësimin në Këshillin e Evropës
Demokracia
22:02 | 07 Maj 2024

Share:

Politika e jashtme e Qeverisë së Kosovës pësoi një goditje të rëndë sot. Përkundër kompromiseve të bëra nga kryeministri Albin Kurti, shteti ynë duket se edhe këtë vit nuk do të arrijë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Kosova u konfirmua sot se nuk është futur në agjendë për këtë muaj, shkruan Demokracia.com.

Këtë e bëjnë të qartë zhvillimet e fundit nga agjenda e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të mblidhet të premten.

Zyrtarja për Informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, ka konfirmuar për Telegrafin se aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti.

“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.

Por, për t’u anëtarësuar në KiE, Albin Kurti ia dhuroi Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mars të këtij viti tha se Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës, që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që tokat përreth manastirit të Deçanit t’i barten këtij manastiri.

Kurti tha se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit, të cilin edhe vetë e kishte kundërshtuar ashpër si opozitar, është përcaktuar si një nga kushtet kryesore që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Megjithëkëtë, për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara, më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kurti në një mbledhje të Qeverisë, përcjell Demokracia.com.

Pas urdhërit të Kurtit për Agjencinë Kadastrale, Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë

 

LEXO EDHE:

Dokumentet që dëshmojnë se toka që Kurti ia dha Manastirit të Deçanit është regjistruar në kadastër

Sipas agjendës, ministrat e punëve të jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të organizatës.

Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.

Sipas agjendës, po ashtu, ministrat do të shqyrtojnë punën e organizatës në fusha të tilla, si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.

Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.

Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë Presidencën e Komitetit të Ministrave.

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Nëse përzihen, siç tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se “procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit – vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, thuhej në deklaratën për media të Qeverisë.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë, më 12 maj 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kjo përkundër marrëveshjes që ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. /Demokracia.com/

Të ngjashme