Lajme
Osmani dëshiron ta përdorë veturën ikonike të Rugovës, askush nuk konkurroi për ta riparuar
Demokracia
19:48 | 16 Janar 2024

Share:

Kompanive që riparojnë vetura po u duket pak shuma prej 9900 euro për ta riparuar automjetin ikonik Chevrolet, të cilin e përdorte ish-presidenti Ibrahim Rugova, shkruan Demokracia.com.

Presidencës së Kosovës i ka dështuar tenderi i vlerës së vogël “Riparimi dhe përgatitja teknike e automjetit historik Chevrolet për aktivitete ceremoniale”.

Zyra e Osmanit e ka anuluar krejt procesin e prokurimit, të cilin e kishte iniciuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Kjo erdhi për shkak se nuk është pranuar asnjë ofertë e kompanive që merren më këso punësh.

Gjasat janë që kompanive u është dukur pak buxheti në vlerë prej 9900 eurosh, aq sa kishte vendosur Presidenca për riparimin e veturës.

Siç ka parë Demokracia.com, kërkesa është për një varg riparimesh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndonëse e braktisi partinë e liderit të saj shpirtëror, ish-presidentit Ibrahim Rugova, po vazhdon të luaj me ndjenjat e njerëzve që e deshën atë. Osmani, e cila kishte thënë se vetura e presidentit Rugova duhet të ruhet në muze, tani është penduar.

Sic shihet, ajo ka vendorur që njërën prej veturave të eskortës së Rugovës ta mbajë për vete, që të bëjë marketing institucional me të.

Osmani në dhjetor të vitit të kaluar kishte urdhëruar Zyrën e Prokurimit që të nisë procedurat për riparimin e veturës kryesore të ish-presidentit Rugova. Kjo ngase po i nevojitet asaj për ceremoni të ndryshme.

Veturat e tipit Chevrolet i ka zënë pluhuri që shumë vite në oborrin e Presidencës dhe disa në oborrin e Ministrisë së Kulturës.

Në një postim në Facebook, një ditë para “Ditës së Presidentit”, Osmani kishte shkruar se vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova “është dëshmi se duhet të ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive”. /Demokracia.com/

Të ngjashme