Lajme
OSHP-ja e konfirmon se eksperti i vendimit të “dëmshëm” për insulinat është shpërblyer me pozitën e sekretarit
Demokracia
23:00 | 14 Mars 2024

Share:

Para pak muajve, me propozim të kryeministrit Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës e ka shkarkuar nga detyra e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Berishën. Shkarkimi i saj erdhi, siç është thënë, për shkak të një vendimi të dëmshëm që mori lidhur me tenderin e insulinave. Por, një tjetër person, i cili ka qenë pjesë e atij vendimi është ngritur në detyrë së fundmi. Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe vetë OSHP-ja.

Tenderi i vlerës së madhe ‘Furnizim me insulina’, mbi dy vite ishte bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Në fund, ky institucion kishte vendosur të rrëzojë përfundimisht vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit. Paneli i OSHP-së kishte rekomanduar që furnizimi mund të bëhej nga kompani, që sipas ministrisë, nuk posedonte ‘Autorizim Marketingun’. Vendimin e OSHP-së, MSH-ja nuk e përfilli. Madje, vetë kryeministri Kurti i propozoi Qeverisë që të shkarkohet kryetarja e Bordit të OSHP-së, Kimete Berisha, e cila në këtë tender ishte kryetare e Panelit Shqyrtues.

Por, para se të merrte vendim Paneli lidhur me këtë tender e kishte autorizuar ekspertin e vet shqyrtues që të shoshis të gjitha provat. Eksperti Agim Sheqiri kishte vendosur që të rrezohej vendimi i MSH-së. Më pas, Paneli Shqyrtues (Bordi) e kishte miratuar në plotni vendimin e ekspertit shqyrtues.

Demokracia.com ditë më parë duke u thirrur në burime të veta ka raportuar se me propozim të Vjosa Gradinaj-Mexhuani, kryetare e Bordit të OSHP-së, Agim Sheqiri është emëruar si i pari i administratës në këtë institucion, konkretisht U.D. i Kryesuesit të Sekretariatit të OSHP-së.

Më datë 5 shkurt, Demokracia.com kishte drejtuar në OSHP këto pyetje: Kush është emëruar Udhëheqës i Sekretariatit?  Çfarë shkollimi superior ka të kryer udhëheqësi i Sekretariatit dhe çfarë duhet ta ketë sipas ligjit për ta udhëhequr këtë institucion?

Ky institucion ka vendosur që të përgjigjet në këto pyetje, pas më shumë se pesë javësh.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ju njofton se përzgjidhja është e përkohshme e Kryesuesit të Sekretariatit z. Agim Sheqiri, në cilësinë e ushtruesit të detyrës, e cila është në harmoni me: 1. Paragrafin 2, të nenit 98 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, sipas të cilit mandati i kësaj pozite konsiston, cituar: “Për mbështetje administrative OSHP-së i ndihmon Sekretariati i cili udhëhiqet nga Kryesuesi i Sekretariatit”. 2. Nenin 5, lidhur me nenin 8, të Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës dhe Aneksit të saj, me dhe/ose të cilat e parashohin dhe rregullojnë pozitën në rastin konkret. 3. Nenin 35 [Kapitulli: Ushtruesja/i e/i detyrës] të Ligjit për zyrtarët publik [Ligji Nr. 08/L-197], sipas të cilit, cituar: “Në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, nëpunësja/i i nivelit të lartë drejtues e atij institucioni e cakton me vendim ushtruesen/in e detyrës për pozitën e lirë” [shih paragrafin 1, të nenit 35]”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për Demokracia.com.

Deri më tani, të gjithë kryesuesit e Sekretariatit me profesion kanë qenë juristë. Për herë të parë, në këtë pozitë është zgjedhur një person që shkollimin profesional e ka nga bota e biznesit. Pra, dihet se OSHP-ja është kuazi i Gjykatës Administrative, ndërsa kryesuesi i sekretariatit është caktuar një ekonomist i diplomuar.

OSHP nuk është përgjigjur direkt në pyetjen e Demokracia.com se çfarë shkollimi superior ka të kryer Udhëheqësi ri i sekretariatit dhe çfarë duhet të ketë sipas ligjit për të udhëhequr këtë?

“Nëpunësi i këtij institucioni, i cili deri më tani e ka ushtruar këtë detyrë ka ofruar dorëheqje, kryesisht për shkak të vëllimit të konsiderueshëm të punëve të cilat objektivisht krijohen dhe i takojnë kësaj pozite, meqë sikurse është shpjeguar si më sipër Kryesuesi i Sekretariatit mbështet OSHP në ushtrimin e gjitha funksioneve parësore të këtij institucioni, përfshirë dhe mbështetjen konstante për Kryetarin dhe Bordin e OSHP. Nëpunësi i këtij institucioni, i cili deri më tani e ka ushtruar këtë detyrë, i plotësonte të gjitha kushtet sidomos nga aspekti i përgatitjes profesionale. Krahas tij/saj, ushtruesi aktual i kësaj detyre konsiderohej nga përvoja e deritanishme e këtij institucioni, pothuajse zgjidhja e vetme për plotësuar ketë pozitë, jo si numër, por me kuadrin potencial në harmoni me kërkesat e parapara me aktet e cituara si më sipër [ligjore dhe/ose nënligjore]. Zgjidhja e kandidatit në rastin konkret, i referohet paragrafit 2, të cilën e përmban dispozita e nenit 35, të Ligjit të cituar sipas të cilit shprehimisht parashihet se, cituar: Në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, ushtruesja/i detyrës mund të caktohet zyrtarja/i më i lartë i kategorisë pasuese, në vartësi të pozitës që caktohet, nga cilado njësi organizative brenda institucionit”, thuhet tutje në përgjigjen e OSHP-së.

Deri sa Agim Sheqiri me profesion është ekonomist, Demokracia.com mëson se në OSHP ka pasur udhëheqës të tjerë që kanë qenë më profesion jurist. Ai ka pasur pozitë të zyrtarit kryesor financiar- ZKF, ndërsa mësohet se tash në pozitën e tij OSHP ka angazhuar një person nga jashtë institucionit, duke e paguar ekstra për shërbime financiare.

Agim Sheqiri kishte prezantuar shumë shkelje që i kishte bërë Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për tenderin Furnizim me Insulina. Këto shkelje, ai pos në raportin e tij i kishte paraqitur në seancën dëgjimore të Organit Shqyrtues të OSHP-së, ku ishte shqyrtuar ankesa e dy Operatorëve Ekonomikë (OE) që po kundërshtonin anulimin e këtij procesi të prokurimit.

Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), me çdo kusht tentonte të anulonte tenderin për furnizim me insulina pas përpjekjeve të vazhdueshme që fitues të këtij tenderi ta shpallte kompaninë “Meditech”, e cila në këtë proces prokurimi ka pasur çmim më të lartë prej rreth 400 mijë euro se kompania tjetër që ishte në garë për këtë proces prokurimi, “Pharma Leader”.

Agim Sheqiri kishte ardhur në përfundim që tenderi për insulina mund t’i jepet edhe një kompanie që nuk ka certifikatë të sigurisë, cilësisë e efikasitetit. Kjo ka qenë njëra nga katër çështjet për të cilat ai dhe MSH-ja kanë kundërshtime. Ministria e Shëndetësisë e ka akuzuar Sheqirin që ka lëshuar ekspertizë, edhe pse nuk e njeh fushën e barnave.

Sikurse herën e parë, edhe në ekspertizën dytë, Sheqiri konsideronte që Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta anulonte tenderin për blerjen e insulinave për mungesë të Autorizim Marketingut.

Deri sa Ministria e Shëndetësisë nuk pranonte të hiqte dorë nga garantimi i cilësisë përmes Autorizim Marketingut, OSHP-ja nuk e ka parë këtë të domosdoshme. Më pas kishte ndërhyrë edhe Qeveria e Kosovës, duke propozuar shkarkimin e vetëm të kryetares së Panelit Shqyrtues, Kimete Berisha, jo edhe të tjerëve, ndonëse vota e saj ka qenë vetëm një, ndërsa vendimi është marrë me tri sosh. Berisha rastin e shkarkimit të saj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që akoma nuk ka një vendim për rastin e saj.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Ligji Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik.

Struktura organizative e OSHP-se është si në vijim:

Kryetari i OSHP-së

Anëtarët e OSHP-së

Kryesuesi i Sekretariatit

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka edhe administratën e shërbyesve civilë konform organogramit të OSHP-së, të cilin e aprovon Kryetari i OSHP-së.

Eksperti shqyrtues, i cili caktohet sipas nenit 113 dhe 114 të LPP-së, bënë shqyrtimin e kryerjes së aktivitetit të prokurimit përkatës si dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të përfshira në ankesë.

Eksperti shqyrtues duhet të jetë i paanshëm, profesional dhe të ketë njohuri lidhur me zbatimin e aktivitetit të prokurimit, si dhe njohuri për Ligjin e Prokurimit Publik.

Eksperti shqyrtues është i obliguar që ta pajisë Panelin Shqyrtues me një vlerësim me shkrim mbi aktivitetin e prokurimit dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të përfshira në ankesë.

Paneli Shqyrtues mund të kërkojë prezencën dhe dëshminë gjatë një shqyrtimi të një Eksperti të Shqyrtimit, i cili ka trajtuar rastin, pa marrë parasysh nëse është anëtar i Sekretariatit të OSHP-së apo Ekspert i Jashtëm Teknik. Kjo kërkesë do të bëhet nëse Paneli konsideron që i nevojitet një ekspertizë e dhënë në çështje specifike teknike. Kjo mund të përfshijë, por nuk është e kufizuar në çështje të standardeve teknike, inxhinieri, financa, që përcakton sasinë e dëmeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme