Lajme
Osmani e takon dhe vlerëson ish-presidentin Bush të cilin Kurti dikur e quante gënjeshtar
Demokracia
18:15 | 08 Maj 2024

Share:

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar ish-presidentin e ShBA-së, George W. Bush, të cilin e quajti si lajmëtar të Pavarësisë së Kosovës.

Osmani tha se Bushi ishte avokues i vendosur për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës.

Përderisa Osmani e ka lavdëruar rolin e ish-presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës, kryeministri aktual, Albin Kurti, dikur e kishte quajtur gënjeshtar ish-presidentin Bush, pasi që ky premtoi shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, përpos që nuk kishte besuar në pavarësinë e Kosovës dhe me protesta të dhunshme kishte kundërshtuar planin e Ahtisaarit, punë asokohe i kishte dalë edhe me presidentin amerikan George W. Bush, të cilin e kishte quajtur gënjeshtar në media ndërkombëtare.

Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur“, më 10 qershor 2007 kishte thënë presidenti amerikan Bush në Tiranë, duke premtuar se shteti i tij do ta njihte pavarësinë e Kosovës pas shpalljes së saj.

Shqiptarët i besuan, por jo edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

Më 27 nëntor 2007, Kurti kishte zgjedhur mediumin e njohur austriak “Die Presse” për të kritikuar presidentin amerikan George W. Bush. Përpos mosbesimit, atë e kishte fyer duke e quajtur edhe gënjeshtar.

Mediumi austriak i kishte thënë Kurtit se fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Hashim Thaçi, kishte premtuar se do të veprojë pas 10 dhjetorit 2007, por Kurti përsëri kishte shfaqur skepticizmin e tij.

Në pyetjen e mediumit “Die Presse”, se edhe presidenti Bush ka folur për pavarësinë e Kosovës, Kurti e kishte quajtur president gënjeshtar, i cili kur e ka gënjyer publikun amerikan pse mos t’i gënjejë edhe shqiptarët.

“Së shpejti e gjithë kjo do të jetë histori. Fituesi i zgjedhjeve, Hashim Thaçi, ka premtuar se do të veprojë pas 10 dhjetorit, ndërsa presidenti amerikan George W. Bush ka folur për pavarësi këtë vit. Ju duhet të jeni të lumtur për këtë”, i drejtohet Die Presse, Kurtit.

“Jo me nxitim. Udhëheqja jonë nuk do të shpallë pavarësinë, nëse fuqitë ndërkombëtare nuk e japin atë. Dhe vetë George Bush gënjeu publikun amerikan, pse të mos gënjejë këtu?”, përgjigjet Kurti. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/marrezia-e-kurtit-per-die-presse-presidentin-bush-e-quajti-genjeshtar-pas-deklarates-mjaft-eshte-mjaft-kosova-eshte-e-pavarur/

Të ngjashme