Lajme
“Nuk mund të ketë më barrikada” – Deklarata e Lajçak pas takimit në veri të Mitrovicës
Demokracia
13:47 | 25 Gusht 2022

Share:

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.

“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale… Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në veri të Mitrovicës.

Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.

Ai u pyet edhe rreth raportimeve se ata kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa e dokumente për tre muaj.

“Ka shumë spekulime, nuk di asgjë për këtë”, u përgjigj Lajçak.

Të ngjashme