Lajme
Nuk ia siguruan shtetit asnjë njohje, Qeveria i pranon çnjohjet që i mohuan më herët
Demokracia
18:54 | 27 Dhjetor 2023

Share:

Në tre vjet qeverisje nga Albin Kurti, Kosova nuk ka mundur të sigurojë asnjë njohje ndërkombëtare, duke u bërë kështu qeveria e parë që dështoi të siguroi qoftë edhe një njohje shtetërore.

Që nga 4 shtatori i vitit 2020, kur Izraeli pranoi pavarësinë e Kosovës, numri i njohjeve vazhdon të mbetet 117.

Ndonëse drejtuesit e shtetit kanë paralajmëruar lëvizje në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja, deri më tash mbetet Qeveria më e dështuar në këtë drejtim, shkruan Demokracia.com.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaporës, Donika Gërvalla, sot ka çuditur me një deklaratë, duke thënë se Kosova është duke i kthyer çnjohet, ndonëse praktikat nderkombëtare nuk e njohin konceptin e çnjohjes.

Konventa e Montevideos në nenin e 6-të thotë se “[…] Njohja është e pakushtëzuar dhe e pakthyeshme”.

Por, Gërvalla tha sot se Kosova ka kthyer çnjohjet.

“Në aspektin e marrëdhënieve bilaterale mund të themi se rezultatet kanë qenë të prekshme. Kemi luftuar me sukses fushatën për çnjohjen të Serbisë, duke rikthyer madje edhe çnjohje nga e kaluara dhe duke kontretizuar marrëdhëniet bilaterale”, tha ajo.

Deri më tani, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe vetë Gërvalla i kishin mohuar pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Serbia kishte siguruar nëntë çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Kurti atëherë kishte thënë se pretendimet nuk janë vërtetuar.

Edhe presidentja Osmani nëpërmjet një komunikate, pas një vizite në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe angazhimit të drejtpërdrejtë, thoshte se ka siguruar riafrimimin e njohjeve nga shtete, të cilat Serbia kishte pretenduar se e kanë çnjohur Kosovën.

Takimi i presidentes Osmani dhe kryeministrit të Grenadës, Dickon Mitchel, shënoi pikën e kthimit në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Grenades, thuhej në njoftim.

Presidenti serb kishte shprehur pretendimin se nëntë shtete e kishin tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë e kishte thënë, pasi Kosova kishte deponuar aplikimin për anëtarësim në BE, ngjarje që, sipas Vuçiqit, shënonte tërheqjen nga marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë, me të cilën ishte shpallur moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për fushatën e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia”, kishte thënë Vuçiq.

“Ne jemi duke pritur për të dhjetin”, kishte shtuar ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme