Lajme
Njohësit e ekonomisë| Subvencionimi i ndihmon nënat lehona, por me politikat sociale duhet të merret kryeministri
Demokracia
20:04 | 10 Maj 2022

Share:

Kuvendi Komunal në Prishtinë ka votuar për propozim-vendimin që ka të bëjë me subvencionimin, me nga 500 euro, për nënat lehona me asistencë sociale.

Kreu i Prishtinës, Përparim Rama, tha se një propozim tjetër i tyre është subvencionimi me 70 euro që familjet që marrin më pak se 500 euro t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe, shkruan Demokracia.com.

Lidhur me subvencionimin e nënave lehona me asistencë sociale, kanë folur njohësit e ekonomisë Erton Bega dhe Mustafë Kadrijaj.

Në një deklaratë për Demokraci.com, njohësi i ekonomisë Erton Bega ka thënë se kohëve të fundit është bërë trend të shpërndahen paratë publike përmes subvencioneve apo ndihmave tjera.

“Është bërë trend viteve të fundit që të shpërndahen paratë publike përmes subvencioneve apo ndihmave tjera. Kosova ka një popullsi të vogël dhe politikat sociale duhet të jenë të harmonizuara ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, prandaj veprimet e kësaj natyre që ndërmerren nga komunat e bëjnë më urgjente reformën e politikave sociale në Kosovë”, ka deklaruar Bega për Demokracia.com.

Ai ka thënë se ky subvencioni i ndihmon shumë nënave lehona në kushte të rënda sociale por qytetarët e Kosovës duhet të kenë trajtim të barabartë nga shteti.

“Sigurisht që ky subvencion i ndihmon shumë nënat lehona që janë në kushte të rënda sociale, por qytetarët e Kosovës duhet të kenë trajtim të barabartë nga shteti, prandaj trajtimi i nënave lehona duhet të përfshihet në politikat sociale të nivelit qendror e assesi të lihet në vendimet ditore të komunave”, ka thënë ai.

Bega ndër të tjera ka thënë se paraja publike duhet të menaxhohet e jo duke shpërndarë buxhetin ad-hoc pa e pasur të qartë qëllimin final e pa i harmonizuar politikat sociale

“Paraja publike duhet të menaxhohet mbi bazën e strategjive të mirëfillta që i shërbejnë interesit publik e jo në këtë formë siç po operohet, duke shpërndarë buxhetin ad-hoc pa e pasur të qartë qëllimin final e pa i harmonizuar politikat sociale”.

Ndërsa, Mustaf Kadrijaj për Demokracia.com, ka thënë se kjo është e mirëseardhur, por po bëhet një padrejtësi edhe në mes të komunave për faktin që komuna e Prishtinës ka kapacitet financiar që t’i përkrah nënat, por ku po mbesin nënat e komunave të tjera.

“Besoj që është diçka e mirëseardhur për nënat në këtë drejtim, por do ta kemi të qartë që po bëhet një diferencim, një padrejtësi për faktin se nënat pa marrë parasysh statusin e tyre juridik dhe ekonomik, ato janë heroina. Por, ku po mbesin nënat tjera në nivel të territorit të Kosovës, sepse edhe ato janë nëna edhe ato i kanë po të njëjtat kërkesa, ndoshta me kushte edhe më keq se sa nënat që jetojnë në Prishtinë apo në rrethinë të Prishtinës”, thotë Mustafa.

Ai gjithashtu u shpreh se me politikat sociale duhet të merret niveli qeveritar, pra kryeministri.

“Në këtë drejtim po shihet çdo ditë e më shumë që me politikat sociale duhet të merret niveli qeveritar, pra kryeministri, ku në këtë drejtim kryeministri duhet të bëjë politika më afatgjatë në nivel të përkrahjes së lehonave për faktin që mos të ketë shqetësim se si do e rrisin fëmijën e tyre”, ka thënë Kadrijaj.

Në bazë të kalkulimeve të prezantuara gjatë ditës së sotme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, brenda një viti rreth 70 nëna lehona do jenë përfituese të kësaj skeme ose në kosto financiare i bie 35 mijë euro./Demokracia.com/

 

 

 

 

Të ngjashme