Lajme
DOKUMENT: Vjosa Osmani që e braktisi partinë e Rugovës, riparon veturën e tij për të defiluar rrugëve të Kosovës
Demokracia
13:46 | 08 Dhjetor 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndonëse e braktisi partinë e liderit të saj shpirtëror, ish-presidentit Ibrahim Rugova, po vazhdon të luaj me ndjenjat e njerëzve që e deshën atë.

Osmani, e cila kishte thënë se vetura e presidentit Rugova duhet të ruhet në muze, tani është penduar.

Ajo ka vendorur që njërën prej veturave të eskortës së Rugovës ta mbajë për vete, që të bëjë marketing institucional më të, shkruan Demokracia.com.

Gjashtë vetura përbënin eskortën e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, por një ishte më e veçantë. Bëhet fjalë për atë në të cilën ishte kryer një atentat ndaj Rugovës.

Osmani ka urdhëruar Zyrën e Prokurimit që të nisë procedurat për riparimin e saj. Kjo, ngase po i nevojitet për ceremoni të ndryshme.

“Riparimi dhe përgatitja teknike e automjetit historik Chevrolet për aktivitete ceremoniale”. Kështu quhet tenderi që është shpallur nga Presidenca për të cilin janë ndarë 9900 euro.

Veturat e tipit Chevrolet i ka zënë pluhuri që shumë vite në oborrin e Presidencës dhe disa në oborrin e Ministrisë së Kulturës.

 

Në një postim në Facebook, një ditë para “Ditës së Presidentit”, Osmani kishte shkruar se vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova “është dëshmi se duhet të ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive”.

“Në prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit, e inicuar si ditë presidenti nga vetë dr. Ibrahim Rugova, e kujtuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, ideatorin e shtetësisë së saj, njeriun e butë por këmbëngulës në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë. Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit. Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat”, kishte shkruar ajo në Facebook.

Osmani kishte propozuar që vetura të vendoset në Muzeun Kombëtar ose në atë të Pavarësisë, “sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë”, kishte thënë ajo.

“Ne do ta kujtojmë përherë presidentin Rugova si njeri stoik e si model të papërsëritshëm të politikanit, i cili ia dha politikës dimensionin më të çmuar të saj: atë human; e kujtojmë unifikuesin e jashtëzakonshëm të popullit të tij e përafruesin po kaq të madh të pikëpamjeve të ndryshme politike rreth vizionit për lirinë. Ai u ndihmoi shqiptarëve që ta krijonin lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonin lirinë fizike dhe kjo qe e arritur e jashtëzakonshme e tij dhe e lëvizjes që ai e udhëhoqi; e kujtojmë udhëheqësin shpirtëror të shqiptarëve, i cili vizionin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare e shpalosi aq bindshëm nëpër kancelaritë botërore, sa krijoi ura miqësie gjithandej globit dhe e vulosi përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me qytetërimin e vendet e perëndimit. Këto, sikur dihet, ia mundësuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999. Ëndrra e presidentit vazhdon!”, kishte shkruar tutje Osmani në këtë postim. /Demorkacia.com/

 

Të ngjashme