Lajme
Njeriu i VV-së i fillon “spastrimet” në KEK, ditën e parë të punës shkarkon dy drejtorë
Demokracia
15:34 | 24 Shkurt 2024

Share:

Luigj Imeri është shkarkuar nga pozita e tij si drejtor operativ në Korporatën Energjetike të Kosovës. Kjo lëvizje brenda kësaj ndërmarrje publike, vjen një ditë pas emërimit të ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Bekir Gërguri, njëherit ish-kandidat për asamblist në Obiliq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Luigj Imeri, dikur ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në KEK, është shkarkuar nga pozita që kishte mbajtur deri vonë si drejtor operativ.

Shkarkimi i tij ka ndodhur dje, siç ka konfirmuar vet ai për gazetën Nacionale, derisa nuk janë dhënë ende arsyet e një vendimi të tillë.

“Po, dje më kanë liruar nga detyra e drejtorit të Operimeve të KEK-ut.” – ka thënë ai.

Pyetur nga Nacionalet mbi arsyet e kësaj, ai është përgjigjur shkurt: “S’ka arsye!”.

Ndërkohë, Nacionale mëson nga burime të sigurta që përveç Imerit, është shkarkuar edhe Januz Saraqi, drejtor i Kosova B.

Si ishte akuzuar Imeri nga deputeti i VV-së “se e çoi Nagipin në burg”?

Pak javë më parë, Nacionale kishte publikuar disa mesazhe ku depiteti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi komunikonte me aplikues në konkursin e fundit në KEK.

Në njërën prej tyre, shihej një bisedë më e vjetër e deputetit të VV-së, Halil Thaçi, me ministren Artane Rizvanolli. Aty, Thaçi akuzonte Luigj Imeri dhe Skënder Bucollin, se janë të përfshirë në arrestimin e Nagip Krasniqit.

“E vërtet, aman mos i qitni ata qe e qun Nagipin në burg si Luigji e Skender Bucolli, se kam friken veq kan me ja rëndu ma shumë.” – thuhej në këtë mesazh.

Deputeti Thaçi pasi e kontaktoi Nacionale, e kishte pranuar që e ka thënë këtë mesazh, edhe pse më pas mediumin e ka kërcënuar me padi.

Nacionale atë kohë kishte kontaktuar edhe me ish-kryeshefin e KEK-ut, Luigj Imeri, i cili përmendej në mesazh. Ai na kishte thënë se nuk mund të komentojë pa i parë bisedat, megjithatë kishte theksuar se nëse ka diçka të vërtetë, “dikush do të jap llogari”.

Kapja e KEK-ut?

Më 22 shkurt, pra vetëm një ditë para dy shkarkimeve të lartëpërmendura, KEK njoftoi për emërimin e Gërgurit në pozitën e kryeshefit.

Opozita në Kosovë ka shprehur shqetësime se Qeveria e Kosovës ka vendosur njerëz të afërt me të në pozita kryesore të ndërmarrjet publike.

Kryeministri dhe eksponentët e VV vazhdojnë të krijojnë kriza dhe konflikte me aleatët. Kacafytjet e tyre publike herë me SHBA-në, herë me BE-në u kanë sjellur vetëm një të mirë. Po ua lënë në hije skandalet e njëpasnjëshme në qeverisjen e brendshme. Dje një zyrtar i VV-së u emërua drejtor i KEK-ut. Kjo pas arrestimit të ish Drejtorit, i cili poashtu ka qenë zyrtar i VV-së.” – ka thënë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, është shprehur i shqetësuar me veprimet e pushtetit për kapjen e institucioneve të pavarura.

Derisa ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, përballet me drejtësinë si i dyshuar për dallavere të shumta dhe keqpërdorim detyre, sot është emëruar Bekir Gërguri në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje. Bekir Gërguri ka qenë hiç më pak se kandidat për asamble në Obiliq nga partia në pushtet, LVV. Keqpërdoruesi Krasniqi u zëvendësua me një militant tjetër. Një dëshmi shtesë që kjo qeveri ka për qëllim kapje e çdo ndërmarrjeje, çdo bordi e çdo institucioni.” – ka thënë ai.

Të ngjashme