OpEd
Një urim për një gjeneratë politikanësh që solli pavarësinë pas çlirimit
Demokracia
13:10 | 17 Shkurt 2024

Share:

Lirim Mehmetaj

Një urim për një gjeneratë politikanësh që solli pavarësinë pas çlirimit

Për shkak të një propaganda të egër, mungesës së vetëdijes kolektive dhe mos-leximit tmerrues, në Kosova është e krijuar një përshtypje sikur pavarësia ka qenë e vetëkuptueshme pas çlirimit, një moment i natyrshëm, i ardhur nga qielli.

Më lejoni miq të dashur t’iu tregoj se nuk është aspak e vërtetë.

Pas çlirimit të Kosovës as Amerika, as Bashkimi Evropian e askush në komunitetin ndërkombëtar nuk e mendonte se Kosova me patjetër duhet të shpallet e pavarur. Madje, as intervenimi ushtarak nuk kishte ndodhur doemos të ketë si përfundim pavarësinë.

Me 24 shtator të vitit 1999, menjëherë pas çlirimit, gazetarët pyesin Samuel Berger, Këshilltarin për Siguri Nacionale të Bill Clinton se a është Amerika për Pavarësinë e Kosovës dhe ai thotë se jo.

“Politika jonë për pavarësinë e Kosovës nuk ka ndryshuar. Por ne e mbështesim krijimin e institucioneve demokratike dhe ekonominë e tregut dhe kaq”, thotë Berger.

Akoma më i qartë është James Rubin, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Përkundër se mik i shqiptarëve, por Rubin kur komunikon qëndrimin amerikan thotë “gjithmonë e kemi thënë se nuk e mbështesim pavarësinë e Kosovës”.

Edhe më drejtpërdrejtë e më qartë e tregon situatën, Ivo Daalder, që nga viti 1998 deri në 2001, shërbeu si anëtar i Grupit të Studimeve të Komisionit të SHBA për Sigurinë Kombëtare dhe para kësaj ishte drejtor për Çështjet Evropiane në stafin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nën Presidentin Bill Clinton.

“Si përfundim, administrata (amerikane) nuk ishte e përgatitur për një Kosovë të pavarur. Në fakt, adoptoi një pozicion politik (sa i përket Kosovës) që ishte disi i ngjashëm me atë të Millosheviç-it, që ishte se Kosova duhej të mbetej pjesë e Serbisë, duhej të mbetej pjesë e ish-Jugosllavisë”.

Si amerikanët, njëjtë mendonte edhe pjesa tjetër e botës demokratike. Për ta përmbledhur dhe mos ju lodhur me citime, po iu sjellë këtu edhe qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, të dhënë në shtator të vitit 1999.

Ai – siç përcjellet qëndrimi i tij edhe në librin “Kosova: nga kriza në krizë” të autorëve, Dick Leurdijk, Dick Zandee – tha se “pavarësia e Kosovës nuk ishte opsion”.

Kjo sepse “kërcënon stabilitetin politik në Ballkan dhe do të çonte në fragmentime të tjera. Kosovarët duhet ta pranojnë një status që është më pak se pavarësi. Pavarësia e Kosovës do të minonte arritjen e madhe të Perëndimit në Ballkan”, thoshte Solana.

Meqë i përmenda autorët e respektuar Dick Leurdijk dhe Dick Zandee, ata në librin e tyre konkludonin se “në verën e vitit 2000 e ardhmja e Kosovës ishte krejtësisht një çështje me fund të hapur”.

Nuk dua t’iu lodh më shumë me referenca. Kush ka interes të më shkruaj në privat dhe i jap sa të dojë literaturë për këtë çështje.

Si përfundim, gjenerata e politikanëve të pas luftës nuk e kishte të servuar asnjë arritje. Ishte gjeniu i tyre politik që një botë perëndimore kundër, apo në rastin më të mirë dyshuese, e kthyen krejtësisht në linjën e tyre se shteti i Kosovës është i pashmangshëm.

Kur e mendon, s’kishin buxhet, s’kishin institucione, s’kishin të konsoliduar asgjë dhe ia arritën.

Mendojeni pak, a më e vështirë pra ishte atëherë të arrihej çfarë u arrit, apo sot, sot kur ke 16 vjet shtet?

Një dozë e mirë e shqiptarëve në Kosovë, për hesape djallëzore të Albin Kurtit, dëshiron t’i shoh ish-politikanët veç si të korruptuar e hajna, por historia dokumenton ndryshe.

Ata janë të jashtëzakonshmit e politikës shqiptare ndër shekuj.

P.S
Videon ku Joe Biden po iu thotë amerikanëve se Hashim Thaçi është George Washington-i Kosovës po e vë këtu veç për inati të militantëve të Vetëvendosjes, jo për diçka po pse i përbinë foret e albin kurtit pa i përtyp hiç.

VIDEO: https://www.facebook.com/lirim.mehmetaj/videos/416460697434660

Të ngjashme