Lajme
Një kryeministër si Albin Kurti që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me “marrëveshje të keqe” për Kosovën
Demokracia
09:10 | 23 Janar 2024

Share:

“Po të ishim vetëm me Serbinë në tavolinë do të thoja se kjo ishte gabim, por nëse janë të kyçur në këtë proces partnerët tanë më të rëndësishëm, mendoj se ky ka qenë një hap i rëndësishëm”.

Kjo deklaratë e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Shwarz, që mban datën 23 janar 2024, është vlerësimi zyrtar e shtetëror se çfarë marrëveshje ka arritur dhe pranuar kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Demokracia.com.

Pra, për kryediplomaten kosovare, Marrëveshja e Ohrit është e keqe, pasi nuk parasheh njohje të Kosovës nga ana e Serisë, por vetëm njohje de-facto, por që sipas saj u pranua pasi në tavolinë ishin aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.

Gjatë periudhës trivjeçare të dialogut të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, janë arritur dy marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit, që në shumë raste njihet si plani franko-gjerman apo plani evropian, ndërkaq më 18 mars 2023 në Ohër, kanë arritur ujdinë për Aneksin e zbatimit të asaj marrëveshje, e cila njihet jozyrtarisht si Marrëveshja e Ohrit.

Që nga koha e arritjes së këtyre marrëveshjeve, kryeministri Kurti ka insistuar vazhdimisht që mbi to të vendosen edhe nënshkrimi i tij dhe i presidentit serb, ndonëse në Aneksin e Ohrit palët janë dakorduar që marrëveshjet të hyjnë në fuqi përmes Deklaratës së BE-së, pa pasur nevojën që të firmosen.

https://demokracia.com/10-muaj-pas-marreveshjes-se-ohrit-kurti-e-kuptoi-demin-e-madh-duke-e-lidhur-pergjithmone-integrimin-evropian-me-themelimin-e-zajednices-dhe-statusin-e-kishes-serbe/

Aneksi i Ohrit është arritur për të zbatuar Marrëveshjen Bazë [Bruskel, 27 shkurt 2023], e cila përmban 11 nene. Më problematiku mbetet neni 7 i kësaj marrëveshje, i cili parasheh “sigurimin e një niveli të duhur të Vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe “zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.

Si derivat i këtij neni, më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nëshkruajë.

Ky draftstatut i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parashesh krijimin e një institucioni me emrin “Komisioni i Arbitrazhit”, i cili është jashtë skemës institucionale të Republikës së Kosovës.

Komisioni i Arbitrazhit nuk ka ekzistuar kurrë në marrëveshjen e vitit 2013 e 2015 dhe as nuk është diskutuar asnjëherë, por ai po paraqitet për herë të parë në vitin 2023 si rezultat i dialogut të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/arbitrazhi-kurti-shkele-kushtetuten-me-draft-statutin-e-pranuar-i-jep-fuqi-ekskluzive-zajednices-te-zgjidh-ceshtje-jashte-institucioneve-te-drejtesise/

Të ngjashme