OpEd
Një çorbë ballkanase në Athinë
Demokracia
10:08 | 23 Gusht 2023

Share:

Nga Mero Baze

Pika e fundit e deklaratës së përbashkët të vendeve ballkanike të thirrura në një takim informal në Athinë me rastin e 20 vjetorit të Samitit të Selanikut, kërkon një qëndrim të ri të BE për perspektivën evropiane të Ballkanit.

Por nëse i hedh një sy problematikës së kësaj mbledhjeje, shikon se jo vetëm vendet e Ballkanit, por dhe mikëpritësja e tyre Greqia, sillet si një vend ballkanik në raport me rajonin.

I vetmi lajm që prodhoi ky takim ishte përjashtimi i Shqipërisë nga mikëpritësi i takimit. Përjashtimi, i cili lidhet me një konflikti që ka kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës me drejtësinë shqiptare, u ngrit nga Greqia zyrtare në nivel politik dhe shtetëror, duke përjashtuar Shqipërinë nga ky takim.

Do të mjaftonte ky fakt që të binte që në minutën e parë fryma evropiane e takimit. Vlerat dhe standardet e një vendi evropian, nuk përjashtojnë kryeministra nga takimi për probleme gati personale. Ai mund ta ftonte Edi Ramën dhe të ballafaqohej aty me problemin që mendon se ka çështja Beleri. Por kur e përjashton, natyrisht që sillesh si një ballkanas i vogël.

Nën këtë frymë rivalësh ballkanike dhe probleme fqinjësh pastaj u zhvillua i gjithë takimi.

Presidenti serb i premton armë presidentit ukrainas me qëllim që të mos njohë Kosovën, kurse kryeministri i Kosovës, i kërkon Greqisë dhe Ukrainës të njohin Kosovën, ndryshe do kenë punë me të pastaj.

Kryeministri i Maqedonisë dhe i Malit të Zi i ankohen Vuçiqit se i ka kërcënuar ministri i Mbrojtjes i Serbise, pse kanë njohur Kosovën, dhe ai u kërkon falje, dhe kështu ka vazhduar gjithë takimi.

Presidenti i Kroacisë pastaj kritikon ashpër Athinën për çeshtjen Beleri dhe sherri vazhdon.

Pra në një takim ku mikëpritësi ka ngjyrosur tavolinën e takimit “evropian” si një ballkanas, duke bërë lajm përjashtimin e Shqipërisë, natyrisht nuk mund të pritet që gjithë fryma e bisedimeve të tjera të jetë evropiane.

Dhe në fakt kjo është tabloja e vërtetë e Ballkanit, madje dhe e evropianëve të vetëm të Ballkanit, që janë më shumë ballkanas se evropianë, kur bëhet fjalë për raportet me fqinjët.

Të ngjashme