Lajme
Ngrihet aktakuzë ndaj njeriut të Mimoza Kusari-Lilës në KRU “Gjakova”
Demokracia
13:39 | 14 Gusht 2023

Share:

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër Hasan Krasniqit, kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Ndërsa, ndaj fqiut të tij, Besnik Sharani, është ngritur aktakuzë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. Çuditërisht, viktima Besnik Sharani ishte burgosur, pasi që ndaj tij u ushtrua dhunë nga drejtori Krasniqi.

Krasniqi kishte ardhur në krye të  KRU “Gjakova” vetëm pak muaj pasi kishte kandiduar në zgjedhje si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, konkretisht partnerit të koalicionit, Alternativës së Mimoza Kusarit. Ai ishte zgjedhur kryeshef përkundër faktit që i njëjti ishte kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2021 apo rreth 3 muaj para se të vinte në krye të ujësjellësit.

Kryeshefi Krasniqi dhe fqinji i tij ishin përfshirë në një sulm fizik më 31 maj të këtij viti.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës kundër tyre e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Hekuran Batusha.

“Ju njoftoj se lidhur me këtë çështje penale hetimet kanë përfunduar dhe është ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, një i akuzuar për veprën penale Sulm ndaj personit zyrtar dhe për të akuzuarin H.K, për veprën penale Lëndimi i lehtë trupor”, tha Batusha.

Kur ndodhi rrahja u publikuan edhe pamjet e kamerave. Këtë ngjarje, ai e ka quajtur si “konflikt të vogël, më tepër problem mediatik”.

 

Ndryshe, Hasan Krasniqi është i afërt me partinë në pushtet, deri sa gjatë kësaj kohe shihet duke sulmuar mediat apo kundërshtarët politikë përmes komenteve të tij në rrjete sociale, diçka kjo e paprecedent nga një zyrtar i një kompanie publike.

Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

Një opinion ligjor i lëshuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, me rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të KEK-ut, thotë se edhe zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur. Në këtë opinion është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muaj para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike. “Në Ligjin për ndërmarrjet publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse ‘është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike’”, potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin, i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

Përcaktimi i termit “i emëruar politik” është bërë në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike që ishte bërë në vitin 2012. Hasan Krasniqi ishte asamblist nga partia Alternativa, nga viti 2014 deri në vitin 2017.

I njëjti në vitin 2017 nuk kishte mundur të rizgjedhej. Në zgjedhjet e fundit ishte kandidat për asamble në listën e Vetëvendosjes, pas marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurtit dhe kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e partisë “Alternativa”.

Krasniqi ishte zgjedhur kryeshef nga bordi i përkohshëm në KRU “Gjakova” i emëruar me 14 korrik të vitit të kaluar më një vendim të Qeverisë Kurti 2. /Demokracia.com/

Të ngjashme