Lajme
Nga ky vit, nis Festivali i Këngës në RTK
Demokracia
20:19 | 09 Shkurt 2023

Share:

RTK-ja gjatë këtij viti do të themelojë orkestrën e saj dhe poashtu do të organizojë edicionin e parë të Festivalit të Këngës. Këto aktivitete janë pjesë e një memorandumi më të gjerë bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës që u nënshkrua nga të dyja institucionet.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë pas disa muajsh bisedimesh, i filluar nga qershori i vitit 2022, ndërmjet MKRS-së dhe drejtuesve të RTK-së, duke marr për bazë edhe modelet e transmetuesve të tjerë publik. Ky bashkëpunim i mundëson RTK-së që të zgjerojë mbulimin e aktiviteteve kulturore anekënd Kosovës dhe për realizimin në praktikë të synimeve të Bordit dhe Menaxhmentit për shndërrimin e RTK4, në RTK Art. Me këtë memorandum, RTK do të rris kapacitetet e saj të produksionit dhe do të jetë edhe më afër artdashësve.

Memorandumi i Bashkëpunimit është nënshkruar për një periudhë 5 vjeçare.

Lidhur me këtë, njoftoi në Facebook edhe Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

“Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot nisin një bashkëpunim afatgjatë për të mirën e kulturës në vendin tonë. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare që nënshkruam sot është themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar eksklusivisht kulturës, organizimi i festivalit të këngës, fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor”, shkroi ai.

Të ngjashme