Kuriozitete
Nga e kanë burimin frikërat tona?
Demokracia
12:42 | 22 Dhjetor 2021

Share:

Një grua nga Nju Jorku, ishte dikur ishte aq shumë e tmerruar nga gjarpërinjtë, saqë edhe vetëm dëgjimi i kësaj fjale, do ta zhyste atë në gjendje paniku. Megjithatë, në fillim shkaku i fobisë së saj nuk ishte i qartë. “Ajo ishte lindur dhe rritur në Long Island, ku zakonisht nuk ka gjarpërinj”- thotë psikiatri Liat Xherkon, që e trajtoi gruan si paciente disa vite më parë.

“Ajo nuk ka udhëtuar kurrë në një zonë që është e njohur se ka shumë gjarpërinj, dhe nuk ishte kafshuar asnjëherë nga ndonjë zvarranik”-shtoi ai. Në fund ai arriti në përfundimin se fobia e saj buronte nga shikimi i një filmi që shfaqte një gjarpër. “Ajo u tmerrua aq shumë, saqë nisi të mendonte:Po sikur kjo … po sikur ajo”- thotë Xherkon.

Gjatë seancave terapeutike, Xherkon – që është aktualisht drejtor i Qendrës për Shëndetin e Sjelljes në Institutin e Teknologjisë në Nju Jork – punoi me pacienten përmes terapisë së ekspozimit. Ata e filluan duke shkruar fjalën “gjarpër”, më pas vazhduan të shihnin foto të gjarpërinjve të ndryshëm.

Në fund, gruaja ishte në gjendje të përballonte edhe të qenit në të njëjtën dhomë me modelin plastik të një gjarpri. Nga akrofobia (frika nga lartësitë) tek turofobia (frika nga djathi), fobitë nga të cilat vuajnë njerëzit janë nga më të ndryshmet. Megjithatë, që të gjitha ato përcaktohen nga ndjenja shpesh irracionale e ankthit.

Dhe sipas Shoqatës së Ankthit dhe Depresionit të Amerikës, frikëra të tilla mund të jenë shumë më të zakonshme nga sa mund ta mendoni, me afro 8-9 për qind të popullsisë amerikane që është prekur nga fobi specifike. Ashtu si vetë numri i madh i fobive, edhe arsyet që qëndrojnë pas tyre janë të ndryshme.

Personalisht, unë e kam pak fobi ngarjen e makinës, sidomos në qytete të mëdha. Nëna ime, e cila ka shqetësime të ngjashme. Ajo ishte burimi im kryesor i edukimit si shofere. A e mora prej saj këtë frikë, apo ka qenë gjithmonë e destinuar të ndaja të njëjtin ankth për shkak të gjeneve tona të përbashkëta?

Ekspertët thonë se të dy janë faktorët e mundshëm kontribues tek frikërat tona. “Ju mësoni nga ajo që ju ndodh ,dhe nga ajo që shihni dhe dëgjoni”- thotë Elizabet Mekmahon, psikologe me banim në San Francisko, e specializuar në trajtimin e ankthit dhe fobive për më shumë se 30 vjet.

“Njerëzit kanë zhvilluar fobi nga filmat, nga shikimi se si sillen miqtë apo anëtarët e familjes, nga dëgjimi i përvojave të frikshme të të tjerëve, si dhe nga përvojat vetjake të frikshme”- shton ajo. Përvoja të tilla si kafshimi nga një qen, udhëtimi problematik me avion, apo qenia dëshmitar i një krimi mund të jenë që të gjitha shkaktarë të dobive.

LEXO EDHE: Frika e Edi Ramës, nesër në Kongres/ Nga Dritan Hila
“Le të supozojmë se isha duke pritur në radhë, kur pashë dikë që po grabitej. Nga ai moment mund të kem frikë që të pres sërish në radhë. Ose mund të ndihem keq nga zhurma e dikujt që bërtet, pasi personi që po grabitej po bërtiste”- thotë Xherkon.

Përvojat traumatike, mund të jenë shpesh shkaku i ankthit dhe fobive, por gjenetika dhe faktorë të tjerë mund të luajnë gjithashtu një rol. “Njerëzit me një predispozitë gjenetike ndaj ankthit, mund të jenë më të rrezikuar të preken nga një fobi”-thotë Shagon Mauria, psikologe dhe psikoterapiste me banim në Australi, që ofron këshilla virtuale për klientët.

Sipas saj mosha, statusi socio-ekonomik dhe gjinia, duket se janë faktorë rreziku vetëm për fobi të caktuara. Për shembull, njerëzit nga vende të ndryshme, raportojnë shkallë të ndryshme të fobive, vëren Xherkon. Ndërsa prevalenca në SHBA është rreth 9 për qind, në Azi dhe Afrikë është vetëm rreth 2 -4 për qind.

Gratë në përgjithësi kanë dy herë më shumë fobi specifike sesa burrat. Dhe kanë më shumë gjasa të kenë fobi të lidhura me kafshët. Mauria thotë se kjo është një lojë e gjenetikës, mjedisit, proceseve dhe përvojave tona mendore. “Një faktor i vetëm, mund të jetë i mjaftueshëm për të prodhuar një fobi ose problem tjetër të ankthit”- thotë Mekmahon.

Zakonisht shumica e fobive zhvillohen gjatë fëmijërisë ose në moshën madhore të hershme. “Ndërsa disa njerëz janë qenë në ankth gjatë jetës, ne gjithashtu mësojmë nga ajo që na thuhet, ajo që përjetojmë dhe çfarë shohim të bëjnë të tjerët. Pra, nëse një prind ka një fobi, fëmija ka më shumë gjasa të zhvillojë atë fobi”- thotë ekspertja.

Terapia e ekspozimit, si në shembullin e mësipërm të gjarprit, konsiderohet shpesh metoda më efektive për tejkalimin e një fobie, pasi “ju nuk mund ta kapërceni frikën, duke shmangur atë që keni frikë”, thotë Mekmahon. Një rol mund të luanë ilaçet dhe format e tjera të terapisë.

Synimi përfundimtar është të zhvendosni të menduarit tuaj për fobinë, në mënyrë që veprimet dhe emocionet tuaja të mund të ndjekin shembullin, dhe të mos keni më frikë nga vetë frika, thotë ajo. “Ju e kuptoni se ky është një alarm i rremë, se nuk jeni në rrezik, dhe se mund ta përballoni pavarësisht frikës”-thekson Mekmahon.

Të ngjashme
Kuriozitete • 15 Maj 2024