Lajme
Nga 1160 asete të lëshuara me qira, AKP-ja ka të hyra vjetore veç 5.3 milionë euro
Demokracia
18:59 | 08 Janar 2024

Share:

Agjencia Kosovare e Privatizimit është një ndër institucionet më të rëndësishme të strukturës ekonomike në Kosovë. Mandati i saj kryesor është që përmes transformimit të pronës shoqërore ta fuqizojë sektorin privat, si bartës kryesor i zhvillimit ekonomik. Por, të hyrat e saj krahasuar më numrin e madh të aseteve janë minore, shkruan Demokracia.com.

AKP-ja menaxhon me një numër të madh të aseteve apo të NSh-ve që janë të mëdha dhe komplekse të tilla si NSh Grand Hotel, NSh Tregu, INA-TRGOVINA ZAGREB, etj. Por, të hyrat e saj nuk janë shumë të mëdha krahasuar më fuqinë e NP-ve.

“Shuma e të hyrave vjetore nga qiratë e inkasuara prej aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për vitin 2023 është 5 milionë e 310 mijë e 881 euro. Gjatë vitit 2023 janë përmbyllur 14 privatizime përmes tenderit publik dhe kontratat me blerësit janë nënshkruar dhe u janë dorëzuar palëve”, tha për Demokracia.com, zëdhënësi i AKP-së, Yll Kaloshi.

Deri në dhjetor të vitit 2023, AKP ja ka pasur 1160 asete të lëshuara me qira.

Në vitin 2022, ky institucion ka inkasuar 4,842,279 euro, kurse në vitin 2021 ka inkasuar 5,130,354 euro.

Nga viti 2004 e deri në fund të 2023, AKP-ja nga NP-të ka arritur të inkasojë vetëm 58 milionë euro. Më së shumti në Prishtinë 681 sosh, 98 në Gjakovë, 53 në Drenas, 33 Prizren, 31 Pejë, 29 Mitrovicë e Veriut, 27 Mitrovicë e Jugut, etj.

Llojet e aseteve

Aktualisht më së shumti AKP-ja posedon tokë komerciale të lëshuar me qira, me 413 prona. Pastaj, 219 kioska të cilat janë të lëshuara për një shumë simbolike, 139 prona bujqësore, 178 lokale, 60 objekte, 34 depo, 32 pompa të benzinës, etj. Janë vetëm 6 fabrika të dhëna me qira. Bëhet fjalë për njësinë e fabrikës së ish ndermarrjes F.R.S.K Jugoterm, e cila i është dhënë Linda Group SH.P.K. Njësia në fshatin Budrigë e Epërme në Partesh, e cila është në një sipërfaqe prej 1,897.90 m2, për të cilën një këst mujor paguhet 1,250.00. Kjo kontratë është lidhur me 15.04.2022. Pastaj fabrika tjetër e NP-së F.R.S.K Jugoterm në Novobërdë që e ka në shfrytëzim Svetislav Ivanović. Por, aty është një sipërfaqe shumë e vogël e kësaj njësie, vetëm 200 m2, për të cilën paguhet një shumë mujore prej 100 euro. Po aty, një njësi të kësaj fabrike prej 400 m2 e ka në shfrytëzim edhe “Humanitarnem organizacije “Majka devet Jugovića”. Edhe ky paguan veç 100 euro në muaj për këtë aset.

Një njësi të fabrikës së ish ndërmarrjes “Përparimi” po e përdor edhe kompania “Besimi Commerce” Sh.p.k në zonën Industriale në Prishtinë, në një vlerë mujore prej 3,052.00 euro. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e objektit prej 64,520.00 m2.

Qiranë më të lartë mujore për shfrytëzimin e aseteve e paguan “Viva Fresh” në Gjakovë. 14,846.71 euro është çmimi mujor për shfrytëzimin e objektit në një hapësirë prej 37682 m2, i cili gjendet në rrugën “Nënë Tereza”.

“Prince Coffee House” për shfrytëzimin e lokalit që është ngjitur në Hotelin Grand, paguan 8,060.00 euro në muaj, për hapësirën 726.22 m2. Për hapësirën 916.84 m2 në Grand, kompania F.S.F SH.P.K. paguan 8,114.00 euro, etj.

Për shkak të kufizimeve të shumta që kanë dalë deri në sqarimin e listave që janë shqyrtuar si mundësi për fond sovran, listës së aseteve për akomodim të institucioneve, mundësia për propozim të aseteve për shitjet e ardhshme është zvogëluar dukshëm. /Demokracia.com/

Të ngjashme