Lajme
Nga 1 janari pa viza, por nëse shkelni rregullat mund të penalizoheni me ndalim për 5 vite në zonën Shengen
Demokracia
11:51 | 05 Tetor 2023

Share:

Në Kosovë ka filluar fushata informuese lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët nga 1 janari 2024 nuk kanë nevojë më të presin para ambasadave për tu pajisur me vizë për vizitë në vendet e BE-së, gjegjësisht vendet që janë në zonën Shengen.

Në njoftimin në rrjetin social Facebook bëhet e ditur se megjithëse liberalizimi i vizave hyn në fuqi nga janari 2024, liberalizimi nuk mundëson qytetarët të punojnë, të ndjekin shkollimin ose të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë brenda një periudhe 180 ditësh.

“Liberalizimi i vizave është një hap shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës! Kjo do të thotë që ju tani keni mundësinë e udhëtimit pa vizë për qëndrime afatshkurtra, duke përfshirë vizitat turistike dhe udhëtimet për të vizituar familjarët, disa herë brenda vitit. Kujdes, megjithatë, që të mos tejkaloni 90 ditët brenda një periudhe prej 180 ditësh”, thuhet në njoftim.

Për të udhëtuar pa vizë, kërkohen dokumente të rëndësishme si pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, rezervimin e vendit të qëndrimit, detajet e udhëtimit, dokumentet për veturën nëse udhëtoni me të, dhe dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare.

“Kujdes, megjithatë, liberalizimi i vizave nuk ju mundëson të punoni, të ndiqni shkollimin, ose të kryeni studime në zonën Shengen.

Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja të rënda, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite.

Përdorni këtë informacion për të udhëtuar me sukses dhe pa vështirësi!”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme