Lajme
“Në tregun ndërkombëtar pritet stabilizim i inflacionit, Kosova vazhdon të goditet nga çmimet e larta”
Demokracia
13:50 | 11 Prill 2023
Ilustrim

Share:

Derisa në tregun ndërkombëtar ka pritje që inflacioni sivjet të stabilizohet, në Kosovë shtrenjtimi i fundit i energjisë elektrike ka bërë që vendi të vazhdoj të goditet nga niveli i larët i çmimeve. Kështu ka thënë për Radio Dukagjinin, profesori i Ekonomisё, Muhamet Sadiku.

“Duhet llogaritur se energjia elektrike është imput i shumë sektorëve tjerë të ekonomisë, andaj duhet pritur që ky nivel i rritjes së energjisë elektrike do të transmetohet si domino strategji edhe në rritjet e çmimit të produkteve tjera”, ka thënë ai.

Më tej Sadiku ka deklaruar se “Ajo çka rrezikon më së shumti standardin e jetës dhe aftësinë blerëse të popullatës është rritja e çmimeve të produkteve bujqësore dhe kjo do të shtrihet edhe në produktet tjera, gjë që do të sjell kokëçarje të mëdha sociale për popullatën e Kosovës, e cila edhe ashtu në këto vite të fundit nuk e ka një mbështetje të duhur institucionale, për të përballuar këto çrregullime të mëdha që ndërlidhen me rritjen e çmimeve në ekonomi”, ka thënë ai.

Muhamet Sadiku, ekonomist

Duke iu përgjigjur pyetjes se a ka Kosova mekanizëm që mund të parandalojnë rritjen e radhës së çmimeve të produkteve elementare, Sadiku tha se janë bërë disa përpjekjeve që kjo të bëhet me veprime të kohëpaskohshme, por, ai thotë se ato duhet të bëhen në mënyrë sistematike.

“Në të gjitha vendet e rajonit që po përballen me krizë, është zbatuar modeli i indeksimit të pagave, pensioneve dhe të dalurave tjera sociale me nivel të rritjes së inflacionit. Kjo nuk ka ndodhur në Kosovë, dhe në këtë garë është duke fituar me të madhe inflacioni dhe rritja e kostove për grupet që përballen me nivel të ultë të të ardhurave”, është shprehur ai.

Më 30 Mars, Bordi i ZRRE-së, mori vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike nga 1 prilli, për  15 për qind. Arsyetim për rritjen e tarifave është theksuar furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike në vend.

Të ngjashme